Dënimi i Thaçit me 25 vite burg, avokati Prosper: Ditë e zezë për drejtësinë, do ta apelojmë vendimin

Kosovë | 1 orë më parë

Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Pierre-Richard Prosper, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, duke e cilësuar vendimin si “ditë të zezë për drejtësinë ndërkombëtare”. Prosper ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë vendimin. Në një deklaratë pas shpalljes së aktgjykimit, Prosper tha se ishte i shokuar nga vendimi dhe kritikoi mënyrën se si, sipas tij, trupi gjykues ka trajtuar provat dhe dëshmitë e paraqitura nga mbrojtja. Sipas tij, gjykata ka dhënë një interpretim të historisë me të cilin mbrojtja nuk pajtohet.

“Ky rezultat ishte i papërcaktuar. Kemi pasur dëshmitarë që ishin në terren dhe ndanë eksperiencat. Ata e bënë të qartë që Thaçi nuk kishte përgjegjësi dhe që kishte komandantë rajonalë. Kjo gjykatë rishkroi historinë duke thënë se ishte një organizatë kriminale. Do ta apelojmë”, deklaroi Prosper.

Ky i fundit e cilësoi aktgjykimin si një “ditë të zezë për drejtësinë ndërkombëtare”, duke ngritur pikëpyetje edhe për të ardhmen e tribunaleve ndërkombëtare. Avokati kritikoi gjithashtu një pjesë të arsyetimit të gjykatës, duke pretenduar se në aktgjykim është bërë një lidhje mes NATO-s dhe asaj që gjykata e ka cilësuar si “ndërmarrje kriminale”. “Fundi i tribunaleve ndërkombëtare, sepse çfarë vendi do të nënshkruante një gjykatë si kjo ku do të pranoheshin 100 për qind të atyre që i ka thënë Prokuroria dhe asgjë nga mbrojtja. Ata thanë që NATO bashkëpunoi me një ndërmarrje kriminale”, deklaroi Prosper.

Pas shpalljes së vendimit, avokati tha se ka biseduar me Thaçin dhe se ish-presidenti është i gatshëm të vijojë betejën ligjore. “Ai e kupton se kjo është një betejë që vazhdon. Ai është i gatshëm të bëjë gjithçka që nevojitet për të vazhduar luftën, për të luftuar për veten e tij, për Kosovën dhe për popullin e Kosovës”, tha Prosper.

Ai kritikoi edhe formulimin e përdorur nga trupi gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit, se vendimi po shqiptohej “në emër të popullit të Kosovës”. “Kjo është fyese. Sepse ky nuk ishte në emër të popullit të Kosovës. Ata nuk i dëgjuan provat”, deklaroi Prosper.

Lidhur me procesin e apelimit, avokati tha se shpreson që Dhoma e Apelit t’i shqyrtojë të gjitha çështjet e ngritura nga mbrojtja dhe të arrijë në një rezultat që ai e cilësoi objektiv. Prosper kërkoi gjithashtu që Kuvendi i Kosovës të shqyrtojë çështjen e Dhomave të Specializuara, duke argumentuar se Kosova duhet të marrë vendime sovrane lidhur me këtë institucion. “Nëse do të isha deputet i BE-së ose i Kuvendit të Kosovës, do ta tërhiqja mbështetjen time për këtë gjykatë që nesër. Sepse, sipas mendimit tim, ky ishte një abuzim me procesin, një abuzim me drejtësinë”, përfundoi Prosper.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme