Reforma Administrative Territoriale, Peleshi: Asnjë shërbim nuk largohet nga Maliqi
Pas takimit të zhvilluar në Korçë në kuadër të turit për rishikimin e ndarjes administrative-territoriale në vend, drejtuesi politik i qarkut të Korçës Niko Peleshi tha se shërbimet nuk do të largohen nga Maliqi edhe pas bashkimit të saj me Korçën, ndërsa do të garantohet edhe pjesëmarrja në Këshillin Bashkiak sipas raportit të popullsisë.
“Shërbimet, kjo reformë dhe projektligji që kemi në dorë i mbajnë aty ku kanë qenë, pra te bashkia, te qyteti i Maliqit. Asnjë shërbim, thotë reforma, nuk do të largohet nga qytetari. Do të jetë pak a shumë 33 me 67% në proporcion me popullsinë. Pra, Këshilli Bashkiak do të kompozohet duke ruajtur këtë përqindje, këtë peshë specifike të popullsisë”, u shpreh Peleshi, Drejtues politik i qarkut Korçë.
Peleshi tha gjithashtu se çdo kryetar bashkie është i interesuar të garantojë zhvillimin dhe investimet në çdo cep të bashkisë sado e madhe qoftë ajo.
“Nuk mendoj që do të ketë kryetar bashkie të painteresuar për ta zhvilluar bashkinë e re, sado e madhe të jetë ajo në territor, sepse edhe këtu vlen demokracia. Duhet mbështetja, përtej përgjegjshmërisë; duhet edhe mbështetja popullore”, tha ai.
Propozimi për shkrirjen e Bashkisë Maliq dhe bashkimin e saj me Bashkinë Korçë është kundërshtuar në Maliq, ku janë zhvilluar protesta, ndërsa kundërshtime kanë ardhur edhe nga punonjës të administratës bashkiake. Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Maliqit nuk ka miratuar deri tani një qëndrim zyrtar kundër këtij propozimi.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




