SHBA: Respektojmë vendimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kosovë | 2 orë më parë

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

Uashingtoni u ka bërë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës dhe të përmbahen nga deklaratat që mund të nxisin tensione.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Dhomat e Specializuara në Hagë përfunduan shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke i dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim, ndërsa ish-kryeparlamentari dhe zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, me 25 vjet. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Trupi gjykues i shpalli katër të akuzuarit fajtorë për një sërë krimesh lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, si dhe për disa akuza dhe incidente të tjera.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykata theksoi se përgjegjësia penale e secilit prej të akuzuarve është individuale. Megjithatë, sipas konstatimeve të trupit gjykues, të katër kanë vepruar së bashku në kuadër të një qëllimi të përbashkët.

Sipas gjykatës, Thaçi kishte rol kyç në formulimin dhe zbatimin e këtij qëllimi, ndërsa Veseli kishte dhënë një kontribut të rëndësishëm në zbatimin e tij dhe ishte përfshirë në identifikimin dhe shënjestrimin e kundërshtarëve.

Për Rexhep Selimin, trupi gjykues konstatoi se ai kishte rol në krijimin dhe funksionimin e zonave operative, emërimin e personave në pozita kyçe dhe se ishte në dijeni për krime ndaj kundërshtarëve.

Ndërkaq, Jakup Krasniqi u gjet përgjegjës për kontributin e tij në strukturat dhe organet e UÇK-së, si dhe për dijeninë që, sipas gjykatës, kishte për ndalime, keqtrajtime dhe vrasje të paligjshme.

Aktgjykimi është i shkallës së parë. Palët kanë të drejtë të apelojnë vendimin pranë Dhomës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme