Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së, protesta në Kosovë para zyrave të EULEX dhe godinës së qeverisë

Kosovë | 2 orë më parë

Vendimi i Hagës për të dënuar me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, është pritur me protesta të tensionuara në Kosovës. Qytetarët e mbledhur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së kanë protestuar para zyrave të EULEX-it por edhe ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku protestuesit kanë hedhur gurë dhe kanë thyer disa xhama të objektit.

Pas shpalljes së vendimit, protestuesit kanë vazhduar tubimin para zyrave të EULEX-it, ndërsa në vend kanë dalë pjesëtarë të Policisë së Kosovës për të siguruar objektin.

Fillimisht protesta ishte e qetë, por situata është tensionuar pasi protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të objektit të EULEX-it, duke thyer xhamat. Më herët, në drejtim të zyrave të EULEX-it janë hedhur edhe flakadanë.

Më pas, protestuesit e kanë zhvendosur tubimin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku kanë vazhduar hedhjen e gurëve, duke shkaktuar dëmtime në xhamat e objektit.

Gjatë protestës janë dëgjuar edhe brohoritje si: “S’ka liri pa çlirimtarë”, “Policia është e jona” dhe “Poshtë spiunat”.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, iu është drejtuar protestuesve të mbledhur para objektit të Qeverisë së Kosovës, pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Haradinaj u bëri thirrje protestuesve që të mos përplasen me Policinë e Kosovës, duke theksuar se pakënaqësia e tyre duhet të drejtohet ndaj përfaqësuesve politikë.

“Asnjë gjë me Policinë tonë nuk kemi. Ne e kemi me njerëzit që na përfaqësojnë politikisht. Ata nuk na përfaqësojnë veç një parti, por të gjithë kanë gabime dhe ne duhet me bërë thirrje për unitet, bashkim dhe veprime konkrete”, tha Haradinaj.

Ai kërkoi bashkim të spektrit politik dhe qytetar, duke përsëritur disa herë thirrjen për unitet.

“E gjithë politika bashkë! Bashkim! Bashkim! Bashkim! Vetëm kjo na çon përpara”, deklaroi Haradinaj.

Ndërkaq situata në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është e qetë dhe aktualisht nuk ka rrezik për sigurinë  tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani tha se Policia ka zhvilluar takime me KFOR-in, EULEX-in, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe institucione të tjera të sigurisë, ndaj nuk priten tensione.

Protesta po zhvillohet pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke i dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim, ndërsa ish-kryeparlamentari dhe zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, me 25 vjet. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme