Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së, komisionerja Kos: Aktgjykimet duhet të respektohen. Aktorët në rajon të shërojnë plagët e të kaluarës

Kosovë | 1 orë më parë

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Përmes një reagimi në X, Kos theksoi se Dhomat e Specializuara janë një institucion gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur, ndërsa nënvizoi se vendimet e tyre duhet të respektohen.

Ajo theksoi se procesi lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Kos u bëri thirrje aktorëve në rajon që të kontribuojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës dhe të punojnë për pajtim.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e tyre duhet të respektohen, ndërsa të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë.

Bëhet fjalë për përgjegjësi individuale dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

I bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndarjet dhe të përparojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian”, shkruan Kos.

Dhomat e Specializuara në Hagë përfunduan shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke i dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim, ndërsa ish-kryeparlamentari dhe zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, me 25 vjet. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Trupi gjykues i shpalli katër të akuzuarit fajtorë për një sërë krimesh lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, si dhe për disa akuza dhe incidente të tjera.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme