Kuvendi zhvillon sot pesë interpelanca me ministra, në rend dite edhe projektligji për pagat e magjistratëve

Politikë | 2 orë më parë

Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 10:00 seancën plenare, ku në rendin e ditës janë përfshirë pesë interpelanca si dhe 10 projektligje.

Opozita ka kërkuar interpelanca nga disa ministra të kabinetit qeveritar, duke e kthyer këtë seancë në një arenë të fortë debati politik.

Sipas rendit të ditës të publikuar nga Kuvendi, interpelanca e parë do të zhvillohet me ministrin e Mjedisit Sofjan Jaupaj, i cili do të pyetet mbi administrimin e 102 kontejnerëve me mbetje toksike të vendosura në periferi të qytetit të Durrësit.

Më pas, ministri i Brendshëm Ervin Demo do të përballet me pyetjet e opozitës lidhur me pretendimet se Policia e Shtetit ka përdorur forcë gjatë arrestimeve të qytetarëve në protestat e fundit.

Në vijim, interpelanca do të zhvillohet me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi, si dhe me ministren e Shëndetësisë Klodiana Spahiu, e cila pritet të japë shpjegime mbi krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara për administrimin e koncesioneve në shëndetësi dhe furnizimin me barna.

Një prej pikave më të rëndësishme të seancës është votimi i formulës së re për përllogaritjen e pagave të magjistratëve.

Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu projektligjin për ratifikimin e Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës.

Gjithashtu, në rendin e ditës janë përfshirë edhe disa projektligje me rëndësi ndërkombëtare, mes tyre ratifikimi i Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, si dhe Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme