Shtyhet seanca ndaj Metës dhe Kryemadhit, mungon gjyqtarja Palloj, seanca e radhës më 24 shtator

Seanca gjyqësore ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit u shty për më 24 shtator, pavarësisht se Meta dhe Kryemadhi kërkuan që procesi të vijonte edhe pa praninë e avokatëve. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e anëtares së trupit gjykues, Rudina Palloj.
Avokati i Metës, Bujar Musta, ishte i pranishëm në sallë, por si publik. Kryetari i trupit gjykues, Erjon Bani, e paralajmëroi atë se nëse avokatët nuk do të paraqiten në seancën e radhës, do të nisin aplikimin e gjobave.
Ndërsa Meta kritikoi gjykatën, duke thënë se i jepet fjala prokurorit, por jo të pandehurit. Ai pretendoi gjithashtu se nga dosja mungojnë mbi 70 fashikuj dhe faqe të dokumentacionit.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në dosje përfshihen edhe shpenzime dhe transaksione që, sipas akuzës, nuk janë deklaruar ose justifikuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




