Arkivi Marubi, frymëzim për krijime të reja/Ekspozita “Atelieja e Edukimit” sjellë një dekadë krijimtari nga fëmijët

Kulturë | 2 orë më parë

Një pjesë e fondit të Fototekës Kombëtare „Marubi“ vjen e riprodhuar përmes syrit, imagjinatës dhe krijimtarisë së fëmijëve përmes ekspozitës “Atelieja e Edukimit”, e cila sjell më shumë se 100 punime të realizuara gjatë një dekade nga nxënës të shkollave 9-vjeçare te Shkodrës, në kuadër të programeve të Ateliesë së Edukimit të Muzeut  Marubi.

“Muzeu Marubi, i cili lind njëherësh me muzeun në vitin 2016, përmes kontributeve, teknikave dhe bashkëpunimeve me institucione të arsimit, duke filluar nga arsimi parashkollor deri te universitetet, është fryt i një pune dhe i një kërkimi dhjetëvjeçar, i cili në qendër ka, pa dyshim, arkivin Marubi”, u shpreh Tereza Cuni, Kuratore e ekspozitës.

Punimet ndërthurin mediume, teknika dhe mënyra të ndryshme të të shprehurit, duke dëshmuar se si fëmijët janë afruar me fotografinë dhe arkivin Marubi, duke i parë edhe si burim frymëzimi për krijime të reja.

“Kam marrë pjesë në një ekspozitë ku kemi bërë kolagrafi. Aty kemi bërë balerina, për shembull. Kemi vënë një fletë dhe i kemi rënë me pastel sipër. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe më ka pëlqyer shumë. Kam realizuar një punim koreografik”, tha një pjesëmarrëse.

”Atelieja e Edukimit“ dëshmon se takimi i fëmijëve me fotografinë mund të shkojë përtej njohjes së historisë së saj, duke u shndërruar në një hapësirë ku kujtesa, imagjinata dhe krijimtaria bashkohen.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme