Aleanca e re Kanada-BE përplas Brukselin me Uashingtonin, Carney i përgjigjet Trump: Një Kanada më e fortë është më efektive edhe për SHBA-në

Botë | 2 orë më parë

Brenda njëzet e katër orëve, marrëdhëniet diplomatike midis Uashingtonit, Brukselit dhe Otavës kanë pësuar një përshpejtim dramatik. Qendra e këtij dinamizmi të ri është koncepti i paraqitur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për krijimin e statusit të “anëtarit të asociuar” për Kanadanë, një hap që ka sjellë reagimin e menjëhershëm dhe të ashpër të Shtëpisë së Bardhë.

I ftuar në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, kryeministri kanadez Mark Carney mori duartrokitje në këmbë nga eurodeputetët. Në fjalimin e tij, Carney theksoi se “thellësia e lidhjeve tona nuk matet nga tregtia, as nuk është e shkruar në traktatet tona. Lidhjet tona janë thellësisht të rrënjosura në tokat tona”.

Propozimi i Von der Leyen dhe “Aleanca për të Ardhmen”

Nisma e njoftuar gjatë fjalimit për Gjendjen e Unionit synon hapjen e rrugës që Kanadaja të bëhet shteti i parë jo-evropian me statusin e “anëtarit të asociuar”. Kjo strukturë do të përfshihet brenda një “Aleance për të Ardhmen”, e cila do të mbulojë fusha strategjike si mbrojtja, energjia, teknologjia, lëndët e para kritike dhe bashkëpunimi në Arktik.

Edhe pse traktatet aktuale të BE-së nuk e parashikojnë këtë kategori dhe detajet teknike po studiohen nga grupe pune, Carney përjashtoi mundësinë e anëtarësimit të plotë apo hyrjes në tregun e vetëm. Ai nënvizoi se “sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese e kanadezëve favorizojnë lidhje shumë më të ngushta me Evropën”.

“Nuk po propozoj një bllok të tretë ekonomik për t’u bërë një tjetër fuqi e madhe rivale. Ne nuk kërkojmë pushtet për të dominuar të tjerët. Ne kërkojmë qëndrueshmëri në mënyrë që askush të mos mund të kontrollojë tregjet tona të hapura, të kërcënojë sovranitetin tonë ose të minojë demokracinë tonë.”, tha ai.

Reagimi i ashpër i Trumpit dhe paralajmërimi për tarifa

Përgjigjja nga Uashingtoni nuk vonoi. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e quajti nismën evropiane “qesharake” dhe paralajmëroi pasoja të rënda ekonomike. Sipas tij, nëse afrimi midis Brukselit dhe Otavës do të jetë një “akt armiqësor”, Shtetet e Bashkuara do të vendosin “tarifa shumë të rënda” ose do të ndalojnë plotësisht tregtinë me Evropën për sektorë të caktuar.

Kjo deklaratë pasoi nënshkrimin e një memorandumi nga ana e Trumpit, i cili përjashtoi produktet kanadeze nga sistemi federal i prokurimit amerikan, duke e cilësuar Kanadanë si një “partner tregtar të tmerrshëm”.

Brukseli i përgjigjet Uashingtonit

Ndaj paralajmërimeve amerikane reagoi zëdhënësi i Komisionit Evropian, i cili sqaroi se forcimi i partneritetit me Otavën “nuk është kundër askujt, por për forcën tonë të përbashkët”.

Procesi i afrimit, i nisur që prej ardhjes në detyrë të Carney-t në pranverën e vitit 2025 dhe i artikuluar gjatë Forumit të Davosit, pritet të marrë trajtë konkrete gjatë një samiti BE-Kanada të planifikuar për në fund të tetorit, ku do të përcaktohen detajet e statusit të ri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme