Avionët luftarakë italianë ngrihen në fluturim pas shkeljes së hapësirës ajrore lituaneze nga forcat ajrore ruse

Europë | 2 orë më parë

Një incident i ri ajror është regjistruar në krahun lindor të NATO-s, ku dy avionë luftarakë Eurofighter F-2000 të Forcave Ajrore Italiane u ngritën me urgjencë pasditen e sotme nga baza e Šiauliai-t në Lituani. Ndërhyrja e Task Forcës Ajrore “Baltic Thunder III” erdhi si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj shkeljes së hapësirës ajrore lituaneze nga dy avionë luftarakë rusë. Operacioni ushtarak u koordinua përmes Qendrës së Operacioneve Ajrore të Kombinuara të NATO-s me qendër në Uedem të Gjermanisë.

Ngjarja vjen në një moment përshkallëzimi të tensioneve diplomatike e ushtarake në rajon. Duke komentuar provokimet e përsëritura të Moskës, kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se veprimet e Rusisë synojnë të shmangin vëmendjen nga vështirësitë në front.

“Provokimet e Moskës po shtohen sepse Putini duhet ta largojë vëmendjen nga një situatë lufte që nuk po shkon siç kishte premtuar Putini, duke kërkuar një përshkallëzim me Evropën. Nuk duhet të reagojmë ndaj provokimeve; kjo do t’i sillte më shumë dobi Rusisë sesa Evropës.”, tha  Giorgia Meloni.

Sulme ndaj anijeve civile dhe bombardime në Kiev

Në një tjetër zhvillim dramatike në Detin e Zi, një dron rus goditi një anije civile me flamur të Tanzanisë që po lundronte drejt një porti ukrainas, duke lënë të vdekur kapitenin e saj dhe duke plagosur tre anëtarë të ekuipazhit. Autoritetet ukrainase denoncuan sulmet sistematike të Rusisë ndaj infrastrukturës detare dhe mjeteve tregtare ndërkombëtare.

Paralelisht, gjatë natës, Kievi u përball me një valë tjetër bombardimesh me raketa e dronë. Administrata ushtarake e kryeqytetit lëshoi alarmin e kuq pas goditjes së ndërtesave të banimit, shkollave dhe infrastrukturës hekurudhore, ku mbetën të plagosur 18 persona, mes të cilëve dy fëmijë. Nga ana tjetër, në rajonin rus të Yaroslavl-it, një sulm masiv me 65 dronë ukrainas dëmtoi një rafineri nafte, duke shkaktuar zjarre e dëme materiale. Polonia ngre avionët luftarakë pas zbulimit të një droni rus

Tensionet janë përhapur edhe në kufirin polak, ku Forcat Ajrore të Varshavës ngritën në fluturim mjetet e tyre ushtarake dhe vunë në gatishmëri sistemet mbrojtëse pas zbulimit të një droni reaktiv rus që po i afrohej kufirit. Zëdhënësi i Komandës Operacionale, Jacek Goryszewski, konfirmoi se mjeti shpërtheu rreth 4 kilometra larg kufirit pasi u neutralizua.

Edhe pse fluturimet në aeroportet e Lublinit dhe Rzeszów-it u pezulluan përkohësisht si masë paraprake, zv.ministri i Mbrojtjes Cezary Tomczyk sqaroi se nuk u regjistrua asnjë shkelje e drejtpërdrejtë e hapësirës ajrore polake. Ndërkohë, në rrafshin diplomatik, Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha njoftoi se po përgatitet takimi mes Presidentit Zelensky dhe Presidentit Trump në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku synohet hapja e rrugës për një armëpushim në sektorin e energjisë dhe në Detin e Zi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme