Sulm me armë në një shkollë në Filipine, vriten 2 nxënës, plagosen 8 të tjerë

Botë | 48 minuta më parë

 Dy të mitur janë qëlluar për vdekje ndërsa 9 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sulmi me armë nga një 16-vjeçar në një shkollë të mesme në Filipine. Dy viktimat e ndjera ishin nxënës 14-vjeçarë në një shkollë në Banga në provincën jugore të Mindanaos. Kryebashkiaku Albert Palencia bëri me dije se gjendja e katër nga të plagosurit është kritike. Palencia shtoi se një ditë para sulmit, 16-vjeçari ka nxitur miqtë e tij që pas drekës të shkonin në banesat përkatëse dhe të mos qëndronin në shkollë.

 Miqtë e tij qeshën sepse autori i vrasjes ishte një shakaxhi i njohur. Pas drekës, ai filloi të qëllonte studentët. Ai goditi 10 studentë përpara se të vriste veten”, tha Palencia. Mësimi është pezulluar “në të gjitha nivelet në të gjithë komunën e Bangës” për shkak të të shtënave.

 Departamenti i arsimit tha në një deklaratë se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga incidenti i raportuar që ndodhi të premten pasdite në Shkollën e Mesme Kombëtare Banga. “Prioriteti ynë i menjëhershëm është siguria dhe mirëqenia e nxënësve, mësuesve dhe personelit të shkollës”, tha departamenti i arsimit, duke shtuar se po koordinohej me autoritetet për të verifikuar incidentin dhe për të ofruar mbështetjen e nevojshme. “Ne i bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga ndarja e informacionit të paverifikuar ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimin e tyre“. Ky është rasti i tretë me të shtëna vdekjeprurëse në një shkollë në Filipine që nga qershori i këtij viti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme