Trump: Do të fal të gjithë bashkëpunëtorët e mi nëse demokratët marrin kontrollin e Kongresit

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm të japë falje parandaluese për të gjithë personat që kanë punuar në administratën e tij, në rast se demokratët marrin kontrollin e Kongresit dhe vendosin të nisin procedime penale ndaj tyre. (foto: Reuters)
Deklaratën Trump e bëri gjatë një interviste për gazetaren Miranda Devine të New York Post, në emisionin “Pod Force One”, ku u pyet nëse do të përdorte kompetencën presidenciale për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij.
“Do ta bëja nëse do të ishte e nevojshme. Sigurisht”, u përgjigj Trump. I pyetur nëse kjo do të përfshinte të gjithë personat që kanë punuar për të, ai konfirmoi: “Do ta bëja. E bëra edhe për 6 janarin”.
Në ditën e parë të rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 2025, Trump fali rreth 1,500 persona të përfshirë në trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Gjatë intervistës, presidenti amerikan iu referua edhe vendimit të paraardhësit të tij, Joe Biden, i cili në orët e fundit të presidencës dha falje për ish-këshilltarin mjekësor Anthony Fauci, gjeneralin Mark Milley, anëtarët dhe stafin e komisionit hetimor të Kongresit për ngjarjet e 6 janarit, si dhe disa pjesëtarë të familjes së tij, përfshirë djalin Hunter Biden.
“Kjo është ajo që bëri Biden. Ai u dha falje të gjithëve”, deklaroi Trump, duke e cilësuar komisionin hetimor të 6 janarit si “një komision të korruptuar”.
Deklaratat e tij vijnë pas qëndrimeve të disa përfaqësuesve demokratë, të cilët kanë paralajmëruar hetime dhe ndjekje penale ndaj personave që, sipas tyre, kanë ndihmuar administratën Trump.
Senatorja demokrate Elissa Slotkin ka deklaruar se një shumicë demokrate në Kongres duhet të ndjekë penalisht çështje të rëndësishme kundër personave që kanë mbështetur presidentin. Ajo tha se synimi është të krijohet një efekt parandalues për personat që mund të marrin në konsideratë punësimin në administratën Trump.
Edhe Jamie Raskin, i cili pritet të drejtojë Komisionin e Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve në rast se demokratët fitojnë shumicën, ka paralajmëruar hetime për atë që e cilëson si korrupsion sistemik në administratë.
I pyetur për mundësinë që demokratët të synojnë edhe biznesmenin Elon Musk, Trump u shpreh se një skenar i tillë nuk do të ndodhë.
“Nuk do të ndodhë. Janë vetëm fjalë. Por nëse janë vetëm fjalë, do të na duhet t’i mbrojmë ata”, tha ai.
Megjithatë, faljet presidenciale mbulojnë vetëm veprat penale federale dhe nuk ofrojnë mbrojtje nga ndjekjet penale në nivel shtetëror, paditë civile apo procedurat e shkarkimit nga detyra.
I pyetur nëse edhe vetë mund të jetë në shënjestër të demokratëve, Trump u përgjigj: “Për mua, nuk e di”.
Presidenti amerikan komentoi gjithashtu sondazhet që tregojnë se demokratët kanë avantazh për të marrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai i cilësoi ato si të manipuluara dhe u shpreh se rezultatet mund të jenë ndryshe nga parashikimet. “Do ta dimë të martën në mbrëmje”, përfundoi Trump.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




