Macron: Nevojitet zgjidhje diplomatike për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Presidenti francez Emmanuel Macron kërkon zgjidhje diplomatike për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se konflikti në Lindjen e Mesme po përkeqëson krizën globale energjetike.
Në një deklaratë të bërë ditën e sotme, pas takimit në Pallatin Elysee me udhëheqësit e partive parlamentare dhe kandidatët për zgjedhjet presidenciale, presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se Franca po bën gjithçka për të lehtësuar rihapjen paqësore të Ngushticës së Hormuzit.
Ai e lidhi mbylljen e kësaj rruge strategjike detare me rritjen historike të çmimeve të karburanteve në Francë dhe me krizën energjetike botërore.
Macron deklaroi se “Franca bën gjithçka për të lehtësuar rihapjen paqësore të ngushticës së Hormuzit”.
Sipas tij, Franca është gati, sapo të arrihet një marrëveshje, të lëvizen kontejnerët dhe anijet e ngarkesave për të mundësuar rihapjen paqësore të këtij kalimi detar jetik. Ai theksoi se aktualisht nuk ka marrëveshje që lejojnë rihapjen e plotë dhe se transiti është përkeqësuar krahasuar me disa javë më parë.
Presidenti francez e cilësoi situatën energjetike si pasojë të plotë të “luftërave” dhe të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, duke shtuar se shkatërrimi i infrastrukturës energjetike në Rusi dhe Ukrainë (si rezultat i agresionit rus) ka kontribuar në shpërthimin e çmimeve të energjisë në mbarë botën.
Çmimet në stacionet e karburantit kanë arritur nivele historike, duke shkaktuar shqetësim të madh te qytetarët francezë dhe duke rritur tensionet e brendshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



