SHBA synon izolimin e aviacionit iranian, BE kërkon forcimin e misionit detar në Detin e Kuq

Botë | 1 orë më parë

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar masa të reja ndaj sektorit të aviacionit iranian, ndërsa Bashkimi Europian po shqyrton forcimin e misionit detar Aspides në Detin e Kuq, në një kohë tensionesh të shtuara në Lindjen e Mesme.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka njoftuar masa të reja ndaj linjave ajrore komerciale iraniane, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 23 shtator.

Sipas Bessent, synimi është izolimi i rrjetit të aviacionit civil të Iranit. Uashingtoni ka paralajmëruar gjithashtu kompanitë e huaja se mund të përballen me pasoja nëse vazhdojnë të ofrojnë shërbime për avionët iranianë.

Masat mund të prekin kompanitë që furnizojnë avionët me karburant, ofrojnë shërbime aeroportuale apo shesin bileta për linjat ajrore iraniane. Sipas autoriteteve amerikane, operatorët ndërkombëtarë që vazhdojnë këto aktivitete mund të rrezikojnë aksesin në sistemin financiar amerikan dhe në kleringun e dollarit.

Nga Teherani nuk ka pasur ende një reagim publik ndaj masave të paralajmëruara nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, tensionet ushtarake mbeten të larta. Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se çdo aksion i ri ushtarak amerikan do të pasohet nga sulme ndaj bazave dhe interesave të SHBA-së në rajon.

Komanda ushtarake iraniane ka paralajmëruar gjithashtu se vendet apo palët që mbështesin atë që Teherani e konsideron agresion amerikan mund të konsiderohen pjesë e konfliktit.

Në këtë klimë të tensionuar, Bashkimi Europian po shqyrton forcimin e misionit detar Aspides në Detin e Kuq, përballë kërcënimeve ndaj anijeve tregtare.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të kontribuojnë me më shumë anije dhe mjete ajrore për mbrojtjen e lundrimit në këtë korridor strategjik.

Kallas ka deklaruar se kontrolli i pikave strategjike në Detin e Kuq nga rebelët Huthi përbën një kërcënim serioz për sigurinë detare dhe interesat europiane.

Deri tani, Italia dhe Greqia kanë siguruar tre nga anijet kryesore të angazhuara në mision.

Misioni Aspides i BE-së ka për detyrë mbrojtjen e lundrimit dhe të anijeve tregtare në Detin e Kuq, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit ndërkombëtar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme