Firma ndërtuese dëmton kabllon e kontrollit ajror, ndërpriten fluturimet në aeroportet kryesore amerikane

Botë | 1 minutë më parë

Vonesa dhe ndalesa të shumta janë regjistruar në disa prej aeroporteve kryesore në verilindje të SHBA-së, pasi një ekip ndërtimi dëmtoi aksidentalisht një kabllo fibrash në New Jersey, e nevojshme për sistemet e kontrollit të trafikut ajror.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, tha se kablloja u dëmtua nga një ekip ndërtimi i Amtrak gjatë punimeve në New Jersey. Sipas tij, incidenti shkaktoi një ndërprerje të telekomunikacionit dhe detyroi Administratën Federale të Aviacionit (FAA) të vendoste kufizime për fluturimet.

Duffy njoftoi se fluturimet kanë nisur të rifillojnë në Aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Filadelfias, ndërsa fluturimet drejt Newark Liberty, John F. Kennedy dhe Teterboro janë pezulluar.

Sipas të dhënave të FAA-së, vonesat kanë prekur disa aeroporte të rëndësishme në verilindje të vendit. Në Filadelfia, vonesat mesatare kanë arritur mbi tre orë, ndërsa në John F. Kennedy dhe LaGuardia janë raportuar vonesa prej dhjetëra minutash.

Të prekura janë gjithashtu fluturimet në Aeroportin Logan të Bostonit, Newark Liberty në New Jersey dhe Aeroportin Teterboro.

Sekretari Duffy ka kërkuar më shumë investime në modernizimin e sistemeve të kontrollit të trafikut ajror.

“Ky incident thekson nevojën për fonde shtesë për të modernizuar infrastrukturën e vjetër dhe për të parandaluar ndërprerje të tilla në të ardhmen”, deklaroi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme