Lituania përgatit plane evakuimi përballë kërcënimeve ruse, kryeministri: Nëse sulmohemi, do të luftojmë

Botë | 4 orë më parë

Lituania po përgatit plane evakuimi për skenarë të ndryshëm të sigurisë, ndërsa autoritetet në Vilnius shprehen të shqetësuara për kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe incidentet e fundit me dronë në hapësirën ajrore të vendit.

Kryeministri lituanez Mindaugas Sinkevičius tha se, në rast të një sulmi, Lituania nuk do të dorëzohej, por “do të luftonte”. Ai tha se autoritetet po përgatiten për një sërë skenarësh, përfshirë edhe evakuimin e qytetarëve nga zonat urbane.

“Ne përballemi me kërcënime konkrete, jo çdo ditë, por po i përjetojmë dhe kjo është një realitet i vërtetë për ne”, tha Sinkevičius, duke shtuar se jo të gjitha planet e emergjencës bëhen publike.

Deklaratat e kryeministrit vijnë pas një incidenti të fundit me një dron që hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë dhe u rrëzua nga avionë luftarakë të NATO-s. Origjina e dronit nuk është konfirmuar përfundimisht, ndërsa ministri lituanez i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, tha se ai kishte ardhur nga drejtimi i Bjellorusisë, aleates së Rusisë.

Incidentet me dronë kanë shtuar shqetësimet në vendet baltike që prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Në muajt e fundit, edhe Estonia dhe Letonia kanë përjetuar incidente me dronë dhe ndërhyrje në hapësirën e tyre ajrore.

Kryeministri lituanez ka kërkuar gjithashtu një qasje më të fortë ndaj mbrojtjes nga aleatët evropianë, duke theksuar se Lituania ndodhet shumë pranë zonave ku kërcënimet e sigurisë janë më të drejtpërdrejta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme