Shtëpia e Bardhë prezanton “Trump TV”, vendimi vjen pas largimit të tre mediave amerikane

Botë | 2 orë më parë

Mes përplasjeve me tre media të mëdha amerikane, Shtëpia e Bardhë prezantoi “Trump TV”. Bëhet fjalë për një platformë transmetimi 24-orëshe, kushtuar aktiviteteve të administratës amerikane.

Vendimi vjen pasi presidenti Trump u revokoi akreditimet e shtypit gazetarëve të rrjeteve televizive CNN dhe MS NOW dhe faqes së lajmeve Politico.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, platforma e re do të ofrojë  transmetim 24-orësh në 7 ditë të javës me përditësime në kohë reale të videove më të mira, fjalimeve kryesore dhe momenteve më të rëndësishme që nuk duhen humbur si dhe të rejat më të fundit e më të rëndësishme nga administrata.

“Jo çdo moment i rëndësishëm ka arritur tek publiku, tani kjo është e mundur përmes platformës”- thuhet në njoftimin e saj. Duke i akuzuar mediat e mëdha amerikane për raportim të lajmeve të rreme rreth administratës së tij, disa ditë më parë Trump ua ndaloi aksesin gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico.

Të hënën tre mediat paditën në gjykatë administratën Trump, duke argumentuar se kufizimi i aksesit cenon të drejtat e tyre kushtetuese, përfshirë lirinë e shtypit të garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

Në deklaratën e përbashkët, ato thanë se qeveria nuk duhet të përcaktojë se çfarë raporton apo çfarë publikojnë mediat.

Në mbështetje të tyre,  rrjetet kryesore televizive amerikane, përfshirë New York Times dhe Washington Post, pezulluan mbulimin e aktiviteteve të përbashkëta Presidentit Donald Trump.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme