Macron bisedime me Zelenskyn: Franca do të qëndrojë pranë Ukrainës gjatë dimrit

Botë | 1 orë më parë

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Franca do të vijojë të mbështesë Ukrainën përballë sfidave të dimrit, duke njoftuar forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit dhe mbështetjen në sektorin energjetik. Ai bëri të ditur se Franca po forcon mbrojtjen ajrore të Ukrainës përmes një kontrate për furnizimin me radarë dhe interceptorë.

“Franca do të qëndrojë pranë Ukrainës për t’u përballur me dimrin dhe G7 e Energjisë do të mobilizohet gjithashtu në anën e saj. Ne po forcojmë mbrojtjen e saj ajrore me nënshkrimin e një kontrate për furnizimin me radarë, si dhe furnizimin me interceptorë”, u shpreh presidenti francez.

Macron tha gjithashtu se këtë çështje e kishte diskutuar me Presidentin amerikan Donald Trump, së bashku me perspektivën e një armëpushimi në sektorin energjetik dhe një moratoriumi në Detin e Zi.

“Kjo do të jetë një çështje kyçe në negociatat që duhet të rifillojnë dhe që duhet të çojnë në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, deklaroi Macron.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se gjatë bisedimeve me Macron fokusi kryesor ishte siguria dhe paketa e mbështetjes për Ukrainën gjatë dimrit.

Megjithatë, vetëm disa orë pas diskutimeve, u raportuan sulme të reja ruse ndaj objekteve energjetike të Ukrainës, përfshirë ato të naftës dhe gazit në rajonin e Poltavas.

Naftogaz, kompania më e madhe ukrainase e naftës dhe gazit, deklaroi se një sulm me raketa balistike shkaktoi “dëme kritike” në një prej objekteve të saj, duke e bërë praktikisht të pamundur rikthimin e tij në gjendjen e mëparshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme