Irani vendos kushtet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, kërkon uljen e presionit ushtarak nga SHBA

Botë | 2 orë më parë

Irani është i gatshëm të rihapë Ngushticën e Hormuzit brenda shtatë ditësh, nëse Shtetet e Bashkuara ulin presionin ushtarak dhe heqin bllokadën ndaj porteve iraniane. Kështu ka deklaruar një zyrtar i lartë iranian për Reuters.

Sipas agjencisë, Teherani i ka kërkuar Uashingtonit një angazhim të qartë politik për rikthimin në rrugën e diplomacisë, si dhe një marrëveshje që përcakton një afat konkret për hapat e mëtejshëm. Zyrtari iranian tha gjithashtu se delegacioni i Teheranit në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka marrë autorizim të plotë për të rinisur kontaktet me palën amerikane.

Sipas Reuters, propozimi iranian për t’i dhënë fund armiqësive iu përcoll Shteteve të Bashkuara përmes ndërmjetësve më 16 shtator. Detajet e një marrëveshjeje të mundshme mund të diskutohen në Nju Jork përmes palëve të treta.

“Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është një mundësi e artë për SHBA-në që t’i rikthehet diplomacisë”, deklaroi zyrtari, duke shtuar se Teherani do të reagonte pozitivisht nëse Uashingtoni do të ndërmerrte hapa konkretë. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian është nisur për në Nju Jork, ndërsa, sipas të njëjtit burim, nuk është planifikuar një takim i drejtpërdrejtë me presidentin amerikan Donald Trump në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Propozimi i Teheranit vjen në një moment kur tensionet mes Iranit dhe SHBA-së mbeten të larta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme