Gjermani, rrëzohet avion luftarak amerikan pranë bazës Spangdahlem

Një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara u rrëzua të martën në zonën e bazës ajrore Spangdahlem, në Gjermaninë perëndimore.
Ngjarja u raportua fillimisht nga Gazeta Bild, e cila citoi autoritetet lokale duke thënë se piloti arriti të hidhej me parashutë para përplasjes.
Deri më tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga komanda e bazës amerikane.
Administrata e rrethit Eifelkreis Bitburg-Prüm njoftoi se njësitë e zjarrfikësve dhe të mbrojtjes nga fatkeqësitë u dërguan menjëherë në vendngjarje.
“Sipas të dhënave aktuale, një person është lënduar”, thuhet në deklaratën e rrethit, duke shtuar se nuk mund të jepen detaje të tjera për incidentin dhe se gazetarët duhet të presin një komunikatë nga autoritetet ushtarake.
Baza ajrore Spangdahlem ndodhet në shtetin Rheinland-Pfalz, pranë kufirit me Luksemburgun, dhe është një nga objektet kryesore të Forcave Ajrore të SHBA në Evropë. Ajo u ndërtua në fillim të viteve 1950 dhe aktualisht strehon Krahun e 52-të të avionëve luftarakë.
Hetimet për shkaqet e rrëzimit pritet të zhvillohen në ditët në vijim, ndërsa autoritetet gjermane dhe amerikane do të japin një deklaratë të përbashkët mbi rrethanat e incidentit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




