Mbreti i Jordanisë Abdullah II në OKB: Prania izraelite në Siri është kërcënim për rajonin

Amerikë | 2 orë më parë

Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, në fjalimin e tij para Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka paralajmëruar se prania dhe aktivitetet ushtarake izraelite në jug të Sirisë përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Jordanisë dhe të gjithë rajonit.

Duke folur nga selia e OKB-së, mbreti Abdullah deklaroi se “oreksi ekspansionist i kësaj qeverie izraelite është tani një kërcënim rajonal, dhe sot Siria është paralajmërimi që komuniteti ndërkombëtar po zgjedh të mos e shohë”.

Ai akuzoi Izraelin se po krijon “fakte të reja” në terren, duke theksuar se kjo situatë nuk mund të injorohet më.

Mbreti theksoi se çdo kërcënim ndaj kufirit verior të Jordanisë ose ndaj sigurisë së ujit të saj është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare të vendit.

Për Jordaninë nuk ka asnjë paqartësi. Çdo kërcënim ndaj kufirit tonë verior, ose ndaj sigurisë së ujit tonë, është kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare. Jordania nuk do të shikojë anash,” tha ai.

Jordania ndan kufi të gjatë me jugun e Sirisë dhe është veçanërisht e ndjeshme ndaj zhvillimeve ushtarake në atë zonë.

Mbreti e lidhi shqetësimin e tij edhe me çështjen e ujit: marrëveshja që dyfishonte sasinë e ujit që Izraeli i jepte Jordanisë sipas traktatit të paqes ka skaduar në fund të vitit 2025 dhe nuk është rinovuar ende.

Në fjalimin e tij, mbreti Abdullah II u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos mbyllë sytë ndaj situatës në Siri dhe të veprojë për të parandaluar përshkallëzimin e tensionit që, sipas tij, rrezikon stabilitetin e të gjithë Lindjes së Mesme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme