Pezeshkian: Irani s’kërkon armë bërthamore, por ka të drejtën e teknologjisë bërthamore paqësore

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka përsëritur pozicionin zyrtar të Teheranit duke theksuar se Irani nuk po ndjek zhvillimin e armëve bërthamore por sipas tij Teherani ka të drejtën për teknologjinë bërthamore paqësore dhe se nuk do të heqë dorë prej saj.
“Nuk do ta ulim kokën dhe nuk do të heqim dorë nga e drejta që është e jona në mënyrë të lindur. E themi haptazi: Asnjë armë bërthamore dhe asnjë kufizim për teknologjinë bërthamore paqësore”, ka theksuar Pezeshkian.
Këto deklarata përputhen me pozicionin e vazhdueshëm të Iranit, i cili pretendohet se programi i tij bërthamor është ekskluzivisht për qëllime civile – energji, mjekësi, bujqësi, industri dhe kërkime shkencore – dhe se nuk ka synim për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë.
Pezeshkian dhe autoritetet iraniane kanë bërë thirrje të përsëritura se ky qëndrim mbështetet edhe në një fatwa (dekret fetar) të Liderit të Revolucionit Islamik, që ndalon armët bërthamore.
Irani, si anëtar i Traktatit për Mosproliferimin e Armëve Bërthamore (NPT), pretendon të drejtën e “të drejtës së patjetërsueshme” për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore sipas nenit IV të traktatit.
Teherani ka thënë se është i gatshëm të ofrojë garanci se nuk do të ndërtojë bombë atomike, por refuzon çdo kërkesë që do të kufizonte ose eliminonte të drejtën e tij për pasurimin e uraniumit dhe zhvillimin e teknologjisë paqësore.
Sipas Pezeshkianit, kjo e drejtë është pjesë e zhvillimit kombëtar dhe nuk mund t’i merret nga asnjë fuqi e jashtme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




