Rubio: Marrëveshja me Iranin kërkon punë dhe kohë të gjatë

Amerikë | 1 orë më parë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se çdo marrëveshje e mundshme me Iranin do të kërkojë punë të vështirë dhe të zgjatur në kohë.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë në dispozicion disa opsione, përfshirë ato ushtarake, ndërsa konfirmoi angazhimin e Uashingtonit për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.

Gjatë një takimi me gazetarët në Nju Jork, Rubio theksoi se presidenti amerikan “ka në dispozicion një sërë opsionesh, përfshirë opsionet ushtarake”.

Sipas tij, çdo dialog apo marrëveshje me Teheranin nuk do të jetë e shpejtë dhe do të kërkojë angazhim të vazhdueshëm diplomatik dhe presion të qëndrueshëm.

Një marrëveshje me Iranin do të përfshijë punë të vështirë gjatë një periudhe kohe,” tha Rubio.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të “vazhdojnë të mbrojnë dhe të mbajnë të hapur Ngushticën e Hormuzit”, një pikë kritike për transportin global të naftës, e cila shpesh është kërcënuar në kontekste të tensioneve me Iranin.

Sekretari i Shtetit nuk dha detaje konkrete mbi kohën apo kushtet e mundshme të një marrëveshjeje, por theksoi se Uashingtoni nuk po përjashton asnjë opsion për të mbrojtur interesat e tij dhe të aleatëve.

Deklaratat e Rubios vijnë në një moment të tensionuar në rajon, ku çështjet e programit bërthamor iranian, mbështetjes së grupeve të armatosura dhe kontrollit të rrugëve detare mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme