Lavrov në OKB: Rusia nuk do të ndalë operacionet ushtarake gjatë negociatave, akuzon Evropën për riarmatimin e Kievit

Europë | 1 orë më parë

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, deklaroi të mërkurën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Moska nuk do të ndalë operacionet e saj ushtarake në Ukrainë gjatë çdo negociate të mundshme.

Ai akuzoi vendet evropiane se po përpiqen të shfrytëzojnë çdo armëpushim për të riarmatosur Kievin.

“Bazuar në përvojën e hidhur, ne nuk do ta ndalojmë operacionin ushtarak special gjatë gjithë negociatave, në çfarëdo forme që ato të marrin,” – tha Lavrov, duke shtuar se Evropa kërkon një pushim përmes armëpushimit për të rimbushur arsenalin e varfëruar të Ukrainës.

Deklaratat e tij erdhën një ditë pas takimit të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Zelensky e cilësoi takimin si “pozitiv dhe produktiv”, duke theksuar se Uashingtoni dhe Kievi duan t’i japin fund luftës para dimrit.
Ai shtoi se Ukraina është gati për një armëpushim detar, duke theksuar se “topi është në fushën e Rusisë”.

Në të njëjtin kontekst, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni po ushtron presion mbi Rusinë dhe Ukrainën që të ndalojnë sulmet e ndërsjella ndaj infrastrukturës energjetike.

Komentet e Lavrovit përkuan me vazhdimin e sulmeve ruse në Ukrainë, ku të paktën shtatë persona u vranë në bombardime që goditën Kievin, Odesën dhe Donetskun.

Në përgjigje, Ukraina ka intensifikuar sulmet brenda territorit rus, duke synuar objektet e energjisë dhe infrastrukturën logjistike, mes një përshkallëzimi të ndërsjellë të sulmeve me rreze të gjatë veprimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme