Erdogan i kërkon Zelenskyt ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka kërkuar homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të ndërmerren hapa për ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, duke i cilësuar ato si të “pashpjegueshme”. Gjatë takimit mes dy liderëve, Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë përmes një paqeje të qëndrueshme. “Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për t’i dhënë fund luftës Ukrainë-Rusi me një paqe të qëndrueshme”, deklaroi presidenca turke, duke shtuar se Ankaraja do të vijojë përpjekjet për ringjalljen e negociatave të drejtpërdrejta mes palëve.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte siguria e lundrimit në Detin e Zi. Sipas presidencës turke, Erdogan u shpreh se duhet të ndërmerret një hap konkret për garantimin e sigurisë së anijeve tregtare dhe se të dyja palët duhet të veprojnë me përgjegjësi.
Turqia, e cila është anëtare e NATO-s dhe ka ruajtur kanale komunikimi si me Moskën, ashtu edhe me Kievin që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ka bërë vazhdimisht thirrje për ndalimin e sulmeve në Detin e Zi.
Ankaraja ka bërë të ditur se u ka paraqitur Rusisë dhe Ukrainës propozime për ndalimin e sulmeve, përfshirë masa që lidhen me sigurinë e anijeve tregtare. Disa prej sulmeve kanë prekur edhe anije me pronësi turke dhe, sipas autoriteteve turke, kanë shkaktuar viktima mes qytetarëve të saj.
Turqia ka kërkuar gjithashtu që të krijohen kushte për transportin e sigurt të drithërave nga rajoni i Detit të Zi. Nga ana tjetër, Zelensky u ka thënë më herët liderëve të mbledhur në samitin e Platformës së Krimesë, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se Ukraina është e gatshme të shqyrtojë një armëpushim detar në Detin e Zi.
Sipas presidentit ukrainas, një marrëveshje e tillë mund të bazohet në propozime të paraqitura nga Egjipti, India dhe Turqia, në kuadër të përpjekjeve për të ulur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e lundrimit në këtë zonë strategjike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




