SHBA fton Putinin në samitin e G20 në Majami, Rubio: Mundësi për dialog

Botë | 2 orë më parë

Shtetet e Bashkuara e kanë ftuar presidentin rus Vladimir Putin të marrë pjesë në samitin e G20-ës, që pritet të mbahet në Majami në dhjetor. Lajmi u bë i ditur nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pas takimit me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

“E kemi ftuar presidentin Putin në G20”, deklaroi Rubio para gazetarëve, duke theksuar se samiti mund të krijojë mundësi që Putin të angazhohet jo vetëm me presidentin amerikan Donald Trump, por edhe me liderë të tjerë botërorë.

Sipas Rubios, një takim i drejtpërdrejtë mes Trumpit dhe Putinit do të kishte më shumë vlerë nëse do të kishte një objektiv të qartë dhe rezultate konkrete. Ai theksoi se, megjithatë, aktualisht nuk ka ndonjë marrëveshje për një takim mes dy presidentëve.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni po u bën thirrje Rusisë dhe Ukrainës të shqyrtojnë një armëpushim të kufizuar që do të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Kievi është i gatshëm të ndalojë sulmet ndaj objekteve energjetike ruse, nëse edhe Moska ndërmerr të njëjtin hap.

Rubio tha se një marrëveshje e tillë nuk do ta përfundonte luftën, por mund të kufizonte pasojat e saj dhe të krijonte një bazë për negociata të mëtejshme.

“Kjo nuk e zgjidh luftën”, tha Rubio, duke shtuar se megjithatë ia vlen të bëhen përpjekje për të arritur një marrëveshje të kufizuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme