Takimi i parë pas një dekade, Polonia dhe Bjellorusia rikthejnë kontaktet

Europë | 23 orë më parë

Ministrat e Jashtëm të Polonisë dhe Bjellorusisë zhvilluan takimin e parë pas një dekade, duke sinjalizuar hapjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Takimi u mbajt këtë javë në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, konfirmoi se ishte takuar me homologun bjellorus, Maxim Ryzhenkov.

Sikorski theksoi se iniciativa kishte ardhur nga pala bjelloruse. “Kur një fqinj kërkon të shkrijë akullin dhe të përmirësojë marrëdhëniet, Polonia është e para që pranon marrëveshjen.”

Ai shtoi se ky ishte një takim hyrës, ndërsa kontakte të tjera po zhvillohen edhe në nivele të ndryshme. Polonia pritet të hapë së shpejti një ndërtesë të re ambasade në Minsk.

Sipas Sikorskit, bisedimet përfshinë situatën në kufi dhe sigurinë rajonale. Ai konfirmoi se kishte ngritur edhe çështjen e përdorimit të territorit bjellorus nga Rusia për fluturime dronësh dhe raketash.

Takimi u bë i mundur pasi tensionet në kufirin polako-bjellorus janë “më të normalizuara”. Që prej vitit 2021, mijëra migrantë nga Azia dhe Afrika u shtynë nga autoritetet bjelloruse drejt kufirit polak, duke shkaktuar krizë humanitare dhe përplasje. Polonia ka ngritur barriera fizike e elektronike, ka dërguar mijëra oficerë dhe ka ndaluar kërkesat për azil nga kalimet e parregullta, duke ulur ndjeshëm numrin e tentativave këtë vit.

Sikorski vuri në dukje se marrëdhëniet janë lehtësuar edhe nga vendimi i Bjellorusisë për të liruar disa të burgosur politikë, përfshirë polakë.
Më i njohuri ndër ta është Andrzej Poczobut, udhëheqës i komunitetit polak në Bjellorusi, i mbajtur në burg për pesë vite me akuza të fabrikuara.
“Veprimet e fundit të Minskut kanë sjellë më shumë liri dhe arsye për të stabilizuar marrëdhëniet,” tha Sikorski, duke përdorur metaforën: “Një luleborë mund të çelë nëse moti është i favorshëm.”

Megjithatë, takimi ka nxitur kritika. Ish-zëdhënësi i shërbimeve të sigurisë polake, Stanisław Żaryn, paralajmëroi se kjo mund të jetë një “reset i rrezikshëm” me Bjellorusinë dhe ndoshta me Rusinë.

Ai kujtoi rastin e ushtarit polak Mateusz Sitek, i vrarë nga një migrant që tentonte të kalonte kufirin nga Bjellorusia, duke akuzuar Minskun për mosbashkëpunim në ekstradimin e autorit të dyshuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme