Abbas: Parandaloni një Nakba tjetër, të zbatohet plani amerikan i paqes për Gazën

Amerikë | 1 orë më parë

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas paralajmëroi të enjten komunitetin ndërkombëtar që të mos lejojë “një Nakba tjetër” dhe kërkoi zbatim më të shpejtë të planit të paqes të udhëhequr nga SHBA për Gazën.

Në një fjalim të regjistruar paraprakisht para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Abbas deklaroi se palestinezët po përballen me “një nga periudhat më të rrezikshme” në historinë e tyre, duke përmendur dekada zhvendosjeje, okupimi dhe mohimi të së drejtës së tyre për vetëvendosje, liri dhe pavarësi.

Ai akuzoi forcat izraelite për vrasje, shkatërrim, urinë dhe përpjekje për të zhvendosur palestinezët në Rripin e Gazës, duke theksuar se konflikti ka krijuar një katastrofë humanitare të paprecedentë.

Mos lejoni që banda terroriste të mbrojtura nga forcat okupuese izraelite të djegin shtëpitë palestineze ndërsa banorët e tyre flenë brenda tyre. Mos lejoni që fëmijët tanë të jetojnë me frikë dhe të kërcënuar”, ka theksuar ai.

Ai vuri në dukje se, gati një vit pas krijimit të Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, faza e radhës e planit të paqes për Gazën ende nuk është zbatuar.

Ne kërkojmë përshpejtimin e zbatimit të fazës së dytë, në vend që të humbasim më shumë kohë,” tha ai,  duke shtuar se periudha tranzitore, e cila duhet të përfundojë në vitin 2027, “nuk duhet të lejohet të bëhet e përhershme apo e hapur.”

Abbas akuzoi Izraelin për përshpejtimin e zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të okupuar, përfshirë Jerusalemin Lindor, dhe tha se dhuna e kolonëve po rritet nën mbrojtjen e forcave izraelite. Ai përmendi gjithashtu konfiskimin e tokave, prishjen e shtëpive, pikat e kontrollit dhe bastisjet.

Ne ju paralajmërojmë sot: mos lejoni që të ndodhë një Nakba tjetër,” deklaroi Abbas, duke iu referuar zhvendosjes masive të palestinezëve gjatë luftës së vitit 1948.

“Mos lejoni masakra të tjera si ato që ndodhën në 1948.”Ai tha se lufta ka shkatërruar shtëpi dhe infrastrukturë, përfshirë shkolla, universitete dhe spitale.

Sipas Abbasit, politikat izraelite, përfshirë propozimin e vendbanimit E1, nuk kufizohen më vetëm në minimin e krijimit të një shteti palestinez, por kërcënojnë “vetë jetën dhe ekzistencën e popullit palestinez në atdheun e tyre.”

Ai u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbrojë palestinezët, të sigurojë praninë e tyre të vazhdueshme në tokën e tyre, të japë fund okupimit izraelit dhe të zbatojë zgjidhjen me dy shtete bazuar në rezolutat ndërkombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme