E dënuar për mashtrim të investitorëve, themeluesja e Theranos drejt lirimit nga burgu

Amerikë | 1 orë më parë

Elizabeth Holmes, themeluesja e Theranos, e dënuar për mashtrim të investitorëve të kompanisë së saj të analizave të gjakut, pritet të transferohet vitin e ardhshëm nga burgu i sigurisë minimale në një qendër tranzitore në Teksas.

Sipas raportimeve të ABC News, Holmes do të transferohet në gusht të vitit të ardhshëm në Austin Transitional Center, në Del Valle, pranë Austin, Teksas. Lajmi u konfirmua edhe nga “The New York Times” dhe NBC News, ndërsa Byroja Federale e Burgjeve (BOP) ka njoftuar për këtë lëvizje edhe viktimat e çështjes.

Holmes, 42 vjeçe, u dënua në vitin 2022 me më shumë se 11 vite burg pasi u shpall fajtore për mashtrimin e investitorëve të Theranos me qindra miliona dollarë. Ajo u urdhërua gjithashtu të paguante dëmshpërblim.

Theranos kishte promovuar teknologjinë e saj duke pretenduar se mund të zbulonte një sërë sëmundjesh, përfshirë disa lloje kanceri, vetëm përmes disa pikave gjaku të marra nga shpimi i gishtit. Më vonë, pretendimet e kompanisë rezultuan të rreme.

Holmes aktualisht po vuan dënimin në një institucion federal burgu në Bryan, Teksas. Dënimi i saj është shkurtuar disa herë gjatë kohës që ajo ka qenë në burg.

Gjykatësi federal Edward Davila ka deklaruar në dokumentet gjyqësore se shkurtimi i dënimit nuk e zbeh peshën e veprimeve mashtruese për të cilat Holmes u dënua.

“Dënimi i rishikuar i Holmes vazhdon të pasqyrojë një ndëshkim të drejtë për veprën e saj të rëndë dhe shërben si një kujtesë se peshorja e drejtësisë do të vendosë ekuilibrin”, shkroi Davila, sipas ABC News.

Të dhënat e Byrosë Federale të Burgjeve tregojnë se Holmes pritet të përfundojë zyrtarisht dënimin e saj në shkurt të vitit 2030. Sipas raportimeve, pas lirimit ajo planifikon të jetojë në Austin.

Rasti i Elizabeth Holmes ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut për shkak të një dokumentari të ardhshëm nga komediani Nathan Fielder, me titull “You Can See Everything”. Projekti, për të cilin janë publikuar pak detaje, ndjek Holmes dhe partnerin e saj, Billy Evans, para nisjes së dënimit dhe gjatë fillimit të periudhës së saj në burg.

Në maj, NPR raportoi se Evans kishte siguruar miliona dollarë për një startup të ri në fushën e analizave mjekësore. Zbulimi nxiti spekulime të reja mbi planet e Holmes për periudhën pas përfundimit të dënimit të saj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme