Operacion anti-terror në Britani, bllokohen 3 furgonë me eksploziv pranë bazës ajrore SHBA-RAF

Europë | 1 orë më parë

Një incident i rëndë sigurie ka vënë në alarm të lartë autoritetet britanike dhe forcat e antiterrorizmit pranë bazës ajrore RAF Fairford në Gloucestershire, Angli. Operacioni i forcave të rendit ka çuar deri më tani në arrestimin e pesë personave nën akuzat për terrorizëm, si dhe në evakuimin e menjëhershëm të dhjetëra banorëve lokalë, pas zbulimit të furgonëve të dyshuar se transportonin lëndë eksplozive drejt objektit ushtarak.

Ndërhyrja e njësive anti-bombë dhe zgjerimi i perimetrit

Sipas raportimeve nga vendngjarja, skuadrat ushtarake të çaktivizimit të eksplozivëve (EOD) mbërritën në fshatin Whelford me kamionë të blinduar dhe pajisje të specializuara. Imazhet ajrore të siguruara nga helikopterët treguan automjete robotike me shina dhe krahë mekanikë që po ekzaminonin nga afër dy furgonë të bardhë të parkuar në zonë, ndërsa më vonë u raportua se kontrollit iu nënshtrua edhe një furgon i tretë.

Për shkak të shkallës së lartë të rrezikut, forcat e sigurisë zgjeruan perimetrin e izoluar për të përfshirë të gjithë zonën rreth bazës RAF Fairford, e cila është kaluar menjëherë në gatishmëri të shtuar ushtarake. Për arsye sigurie, banorët e 85 shtëpive në afërsi janë evakuuar si masë paraprake deri në përfundimin e plotë të kontrolleve fizike dhe teknike.

Kalimi i hetimit te anti-terrorizmi

Pasi ndërhyrja fillestare u krye nga Policia e Gloucestershire për shkelje të ligjit mbi posedimin e eksplozivëve, koordinimi i hetimit i kaloi zyrtarisht njësive kombëtare të antiterrorizmit.

Në një konferencë për shtyp, një zyrtar i policisë vendore konfirmoi se pesë burra u arrestuan gjatë natës nën dyshimin për vepra që lidhen me terrorizmin. Zyrtari apeloi ndaj publikut dhe medias që të shmangen spekulimet rreth ngjarjes, ndërsa konfirmoi se të gjitha masat e ndërmarra në terren synojnë mbrojtjen e komunitetit lokal.

“Hetimi po kryhet tashmë në koordinim të plotë me njësitë e antiterrorizmit. Banorët e 85 shtëpive janë evakuuar vetëm si masë paraprake ndërsa kontrollet e imtësishme po vazhdojnë në terren.” tha përfaqësues i policisë locale.

  • Kërcënimet e mëparshme dhe rëndësia strategjike e bazës

    Baza ajrore RAF Fairford mban një peshë të rëndësishme strategjike, pasi përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së për operacione ushtarake ndërkombëtare, përfshirë stacionimin e bombarduesve strategjikë të angazhuar në Lindjen e Mesme dhe në përballjet me Iranin.

    Sipas burimeve mediatike dhe deklaratave nga përfaqësuesit lokalë, alarmi i tanishëm pason një periudhë tensioneve të larta të sigurisë rreth këtij objekti.

    “Pati një kërcënim specifik nga iranianët kundër kësaj baze rreth gjashtë javë më parë. Në atë kohë, mbikëqyrja në zonë ishte intensifikuar. Është një bazë operative. Nuk është sekret që bombarduesit amerikanë janë të pranishëm këtu të angazhuar në operacione të vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Pra, rreziku është gjithmonë aty. Megjithatë, unë besoj se komuniteti lokal është shumë vigjilent dhe kam besim të plotë në aftësinë e shërbimeve të sigurisë për të kryer detyrat e tyre.”, theksoi Tristan Wilkinson, Këshilltar i Distriktit të Cotswold për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Ndërkohë që kontrollet teknike mbi mjetet e bllokuara po vazhdojnë, autoritetet britanike të antiterrorizmit pritet të dalin me përditësime të mëtejshme zyrtare mbi ecurinë e hetimit dhe gjendjen e të arrestuarve.

    /rtsh.al/

     


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Të ngjashme