Irani pretendon se ka kapur një dron spiun amerikan, pret përgjigje zyrtare, pasi Trump refuzoi propozimin për ‘Hormuzin’
Garda Revolucionare e Iranit tha të dielën se kapi një dron nënujor amerikan në Ngushticën strategjike të Hormuzit, të cilën Teherani e ka bllokuar pas nisjes së luftës më 28 shkurt. “Përmes një operacioni të koordinuar dhe kompleks, personeli i forcave detare të Gardës Revolucionare kapi me sukses një mjet nënujor pa pilot që i përkiste ushtrisë terroriste amerikane”- deklaruan forcat detare të Gardës iraniane, duke pretenduar se droni po operonte në ngushticë për qëllime spiunazhi.
Sipas forcave iraniane droni është model i një mjeti nënujor Remus 600 që tashmë ndodhet në duart e specialistëve për të rikuperuar të dhënat e tij. Ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet pengesa kyçe në negociatat SHBA- Iran, kryediplomati iranian Abas Aragchi tha se vetëm një zgjidhje e negociuar mund t’i japë fund konfliktit mes dy palëve.
Deklarata e tij erdhi pasi presidenti amerikan refuzoi publikisht propozimin e Teheranit për të rihapur rrugën jetike ujore brenda 7 ditësh. Sipas Aragchit Trump kishte bërë deklarata kontradiktore edhe në të kaluarën, ndaj tha se Irani do të presë një përgjigje zyrtare nga negociatorët amerikanë.
“Po presim që ndërmjetësit të na përcjellin pikëpamjet e tyre përfundimtare dhe ne do të marrim një vendim bazuar në to”- u shpreh ai, duke kujtuar se një marrëveshje mund të arrihet nëse plotësohen kushtet e nevojshme, në referencë të memorandumit të mirëkuptimit që dy vendet nënshkruan në qershor.
Trump tha se propozimi i Iranit nuk ishte i pranueshëm. Sipas tij Teherani po kërkonte një marrëveshje, sepse po humbte shumë keq, duke shtuar se SHBA-të tashmë kishin kontroll të plotë mbi ngushticën dhe sasi të mëdha nafte po kalonin përmes saj. Refuzimi i propozimit të Iranit u mbështeti edhe nga ambasadori i SHBA-së në NATO.
Matthew Whitaker tha se Teherani kishte ofruar gjysmë propozime dhe marrëveshje iluzionare për t’u dukur mirë në skenën ndërkombëtare. Ndërkohë, Sekretari i Thesarit Scott Bessent deklaroi se presioni ekonomik nga Shtetet e Bashkuara po jepte efekt, pasi po ndikonte negativisht në Teheran.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




