Shkarkimi i Vlora Hysenit/ Këshilli i Sigurisë Kombëtare rreth 90 minuta takim, në fokus siguria dhe SHISH
Ka zgjatur rreth një orë e 30 minuta mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e thirrur nga Presidenti Bajram Begaj mëngjesin e sotëm në orën 08:30 në Pallatin e Brigadave.
Në mbledhje morën pjesë 13 titullarë të institucioneve, ndërsa në fokus të diskutimeve ishte siguria kombëtare dhe zhvillimet e fundit në institucionet e sigurisë.
Gazetarja e RTSH24, Rugova Dunisha, raportoi se një pjesë e diskutimeve lidhej edhe me situatën e krijuar pas arrestimit të ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila drejtoi SHISH-in për rreth tre vite.
Në takim morën pjesë Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Niko Peleshi, drejtues të institucioneve të sigurisë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. I pranishëm ishte edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila. Sipas gazetares, diskutimet u përqendruan te siguria kombëtare, situata e krijuar në institucionin përgjegjës për informacionin dhe sigurinë kombëtare pas arrestimit të ish-drejtueses së SHISH-it, si dhe te emri i ri që pritet të drejtojë institucionin.
Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se do të diskutonte me Presidentin Bajram Begaj edhe për emrin e kandidatit të ri për drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare vjen pas shkarkimit të kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Kjo e fundit u vetëdorëzua më 22 shtator ndërsa aktualisht ndodhet në masën “arrest në shtëpi”. Ndaj Hysenit rëndojnë akuzat Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Dyshohet se Hyseni i ka vendosur në dispozicion materiale sekrete shtetërore Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t.
Ndërkaq, pas shkarkimit nga detyra të Vlora Hysenit, Presidenti Bajram Begaj thërriti në takim Drejtorin e Komanduar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Elvis Lila, Ministrin e Brendshëm Ervin Demo, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



