Lufta SHBA-Iran, Trump njoftoi bisedime të reja, Teherani i mohon
Një ditë pasi refuzoi propozimin e Iranit për t’i dhënë fund luftës, Presidenti Trump i tha platformës së lajmeve Axios se pret që negociatorët amerikanë të angazhohen në më shumë bisedime me Republikën Islamike këtë javë, por duke lënë në tryezë opsionin e rifillimit të sulmeve ajrore në shkallë të gjerë ndaj objektivave iraniane.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por nuk është marrëveshja që dua të bëj unë. Është ajo që ndoshta do të kishim rënë dakord një vit më parë.”- deklaroi Trump për Axios. Ndërkaq media shtetërore në Iran raportoi këtë të hënë se nuk ishin planifikuar bisedime të reja me Shtetet e Bashkuara “Delegacioni iranian në Nju Jork nuk ka plane për negociata me Shtetet e Bashkuara”- raportoi agjencia zyrtare e lajmeve IRNA, duke cituar një burim të paidentifikuar pranë ekipit iranian.
“Pikëpamjet dhe pozicionet e Iranit Iu përcollën qartë palës amerikane përmes një ndërmjetësi nga Katari”, raportoi agjencia duke shtuar se delegacioni iranian do të kthehet në Teheran të martën. Zyrtarët iranianë dërguan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork një plan me 7 pika për një armëpushim shtatë ditor të ndjekur nga rihapja e Ngushticës së Hormuzit.
Katari dhe ndërmjetësit e tjerë rajonalë po përpiqen të ulin dy vendet ne tyrezën e negociatave, por të dyja palët janë larg njëra-tjetrës për çështjet kyçe. Deklaratat kontradiktore të të dyja palëve bënë që nafta e papërpunuar Brent të rritet me më shumë se tre për qind në tregjet ndërkombëtare duke u shitur me 107.5 dollarë për fuçi, ndërsa ajo amerikane arriti në 94.3 dollarë për fuçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




