Ish-polici amerikan akuzohet se fshehu pronësinë ruse të kompanisë që mori kontrata nga qeveria e SHBA-së

Amerikë | 2 orë më parë

Një ish-polic amerikan dhe ish-lojtar bejsbolli akuzohet se ndihmoi në fshehjen e pronësisë ruse të një kompanie teknologjike, e cila siguroi më shumë se 2 milionë dollarë në kontrata me qeverinë federale amerikane, përfshirë Shërbimin Sekret.

Lee Reiber, 55 vjeç, u arrestua të dielën e kaluar në Idaho, pasi prokurorët federalë e akuzuan se kishte ndihmuar në fshehjen e pronësisë dhe programeve të zhvillimit në Rusi të kompanisë “Oxygen Forensics”, me seli në Virxhinia. Kompania ofron programe për ekspertizë digjitale dhe i ka shitur softuerin e saj Shërbimit Sekret dhe agjencive të tjera federale amerikane.

Shërbimi Sekret konfirmoi se e kishte përdorur më parë softuerin e “Oxygen Forensics”, por tha se përdorimi i tij u ndërpre menjëherë në shkurt të vitit 2026, pasi agjencia identifikoi rreziqe të sigurisë. Sipas autoriteteve amerikane, nuk ka prova se janë komprometuar të dhëna sensitive.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, Reiber u bë fytyra amerikane e kompanisë, ndërsa pronarët e saj rusë u zhdukën nga dokumentet publike të regjistrimit të kompanisë pas pushtimit rus të Ukrainës.

Prokurorët federalë pretendojnë se Reiber u deklaroi në mënyrë të rreme agjencive qeveritare se “Oxygen Forensics” nuk kishte pronësi apo kontroll të huaj dhe se softueri i saj zhvillohej në SHBA.

Në fakt, sipas dokumenteve të gjykatës, pesë shtetas rusë zotëronin dhe kontrollonin kompaninë përmes një shoqërie holding me bazë në Qipro, ndërsa softueri zhvillohej nga një ekip në Rusi.

Një prej tyre, shtetasi rus Oleg Sergeyevich Davydov, 52 vjeç, është akuzuar së bashku me Reiber dhe u arrestua në aeroportin Heathrow në Londër. Autoritetet amerikane kanë kërkuar ekstradimin e tij në SHBA.

Reiber ishte punësuar fillimisht si shef operativ i kompanisë në vitin 2015, ndërsa në mars 2022, vetëm disa javë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës dhe zgjerimit të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, u bë CEO, president dhe kryetar i bordit.

Megjithatë, sipas prokurorëve, pronarët rusë vazhduan të kontrollonin kompaninë në prapaskenë. Ata dyshohet se merrnin vendime të rëndësishme, përcaktonin pagën e Reiberit, mund të anulonin vendime për pagesat dhe kishin të drejtë nënshkrimi mbi llogaritë bankare të kompanisë.

Një ish-punonjës i “Oxygen Forensics”, Max Weissberg, i cili më vonë u bë sinjalizues, tha për “The Post” se Reiber nuk kishte fjalën përfundimtare mbi vendimet e kompanisë, pavarësisht se ishte listuar si CEO që prej vitit 2022.

Weissberg pretendon se Reiber u zgjodh si figura publike amerikane e kompanisë për shkak të profilit të tij si ish-polic dhe figurë e njohur në komunitetin lokal. Reiber kishte punuar si polic në Boise nga viti 1995 deri në 2009 dhe më herët kishte luajtur bejsboll në nivele të ulëta profesionale.

Pas një sezoni në ligën fillestare dhe një sezoni tjetër në Frontier League, ai u largua nga bejsbolli dhe nisi karrierën në polici. Sipas Weissberg, drejtuesit e kompanisë u referoheshin pronarëve rusë si “evropianët”, në një përpjekje për të mos nxjerrë në pah kombësinë e tyre.

Prokurorët pretendojnë se Reiber dhe pronarët rusë e dinin se zbulimi publik i pronësisë së vërtetë mund të rrezikonte kontratat fitimprurëse me qeverinë amerikane.

Në një email drejtuar Davydov dhe dy pronarëve të tjerë rusë, Reiber dyshohet se paralajmëroi se publikimi i lidhjes ruse “mund ta shkatërronte të gjithë këtë mundësi”, duke iu referuar një kontrate të pritshme me Institutin Kombëtar të Ekspertizës Kompjuterike Forenzike të Shërbimit Sekret.

Pavarësisht kësaj, instituti i dha kompanisë një kontratë pesëvjeçare në shtator 2024.

Hetimi u zgjerua më tej pasi Reiber u takua me agjentë të fshehtë që paraqiteshin si zyrtarë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare në mars të këtij viti. Sipas prokurorëve, ai u tha atyre se asnjë shtetas rus nuk kishte kontroll apo interes në kompani dhe se asnjë rus nuk kishte marrë pjesë në zhvillimin e softuerit.

Autoritetet amerikane pretendojnë të kundërtën, duke thënë se softueri shkruhej dhe menaxhohej nga një ekip në Rusi nën drejtimin e Davydov.

Reiber bëri deklarime të ngjashme edhe në një padi për shpifje kundër Weissberg, të ngritur muajin e kaluar, ku pretendoi se “Oxygen Forensics” nuk kishte punonjës, kontraktorë apo furnitorë në Rusi dhe se kompania nuk shiste produktet e saj atje.

Ndërkohë, një episod i raportuar nga Weissberg për një kompani nafte amerikane, “Chevron”, ngriti dyshime të tjera tek ai. Ish-punonjësi tha se kishte dëgjuar një koleg të mburrej se kompania kishte bindur “Chevron” të ulte disa masa sigurie për instalimin e softuerit forenzik.

Një ditë pas instalimit, një rafineri e “Chevron” në El Segundo, Kaliforni, u përfshi nga një zjarr i madh. Megjithatë, Weissberg nuk ka paraqitur prova që lidhin instalimin e softuerit me zjarrin dhe Departamenti i Drejtësisë nuk e akuzon “Oxygen Forensics” se softueri i saj ka shkaktuar zjarrin.

Po ashtu, Departamenti i Drejtësisë ka sqaruar se ankesa penale nuk pretendon se softueri i kompanisë përmbante kod keqdashës apo se ishte përdorur për të fituar akses të paautorizuar në kompjuterët ose të dhënat e klientëve.

Sipas prokurorëve, “Oxygen Forensics” kishte siguruar më shumë se 2 milionë dollarë në kontrata me qeverinë amerikane. Në dokumentet e çështjes përmenden Departamenti i Luftës dhe tre struktura të Departamentit të Sigurisë Kombëtare: Shërbimi Sekret, Instituti Kombëtar i Ekspertizës Kompjuterike Forenzike, Homeland Security Investigations dhe Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të DHS-së.

Shërbimi Sekret tha se softueri ishte përdorur vetëm në mjedise të shkëputura nga rrjeti dhe se nuk ka prova për komprometimin e informacionit sensitiv.

Reiber u arrestua në Idaho, ku punonte në distancë si CEO i kompanisë. Ai pritet të dalë para gjykatës federale në Los Angeles në javët e ardhshme.

Nëse shpallet fajtor për komplot për mashtrim elektronik, ai përballet me një dënim maksimal deri në 20 vite burg federal. Davydov ndodhet në Britani dhe autoritetet amerikane po kërkojnë ekstradimin e tij.

Ankesa penale përmban akuza dhe jo një vendim fajësie. Reiber dhe Davydov prezumohen të pafajshëm deri në provimin e fajësisë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme