Dyshohet se po përgatisnin një akt terrorist/ Pesë të arrestuarit pranë bazës ajrore RAF Fairford janë shtetas britanikë, policia jep detajet

Pesë personat e arrestuar pranë bazës ajrore RAF Fairford në Britani janë të gjithë shtetas britanikë në të 20-at dhe me banim në Londër, ka bërë të ditur Policia Kundër Terrorizmit.
Tre prej tyre janë 24 vjeç, një është 25 vjeç dhe tjetri 23 vjeç. Sipas policisë, tre prej tyre jetonin në Westminster, një në Camden dhe një tjetër në Willesden.
Pesë të rinjtë u arrestuan të dielën në mëngjes në Whelford, pas raportimeve për tre automjete që po lëviznin në drejtim të bazës ajrore rreth orës 00:45. Ata dyshohen për vepra penale në bazë të ligjit britanik për eksplozivët dhe për përgatitjen e një akti terrorist, në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Terrorizmin.
Të arrestuarit janë mbajtur në bazë të Ligjit për Policinë dhe Provat Penale, ndërsa policia ka siguruar zgjatjen e afatit të paraburgimit deri më vonë gjatë ditës së hënë.
Pamjet e publikuara të dielën treguan pesë të dyshuarit duke u ndaluar pa bluza pranë bazës ajrore në Gloucestershire, e cila po përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së në operacionet e saj kundër Iranit.
Policia Kundër Terrorizmit tha se hetuesit kanë vijuar gjatë natës ekzaminimin e vendngjarjes dhe kanë kryer një sërë veprimesh që kanë hapur disa pista të reja hetimi.
Ndërkohë, 85 familje nga fshati Whelford u evakuuan të dielën, ndërsa një prani e madhe e policisë dhe shërbimeve të emergjencës vijon në zonë.
Autoritetet deklaruan se në operacion po përdoren “një numër i konsiderueshëm burimesh, përfshirë mjete ushtarake”. Policia u ka kërkuar banorëve durim, duke thënë se po përpiqet të kufizojë sa më shumë ndikimin e operacionit në komunitetin lokal.
Zona vijon të jetë e rrethuar me kordon policor dhe autoritetet kanë njoftuar se situata do të rishikohet gjatë së hënës.
Vicki Evans, zëvendësdrejtoreshë asistente dhe koordinatore e lartë kombëtare e Policisë Kundër Terrorizmit, e cilësoi hetimin një operacion “jashtëzakonisht kompleks dhe në shkallë të gjerë”, ku janë përfshirë policia lokale dhe kombëtare, Ministria e Mbrojtjes dhe agjenci të tjera.
“E di që kjo ka qenë jashtëzakonisht shqetësuese për banorët vendas, por dua t’i siguroj se aktiviteti ynë është në interes të sigurisë kombëtare, por mbi të gjitha në interes të sigurisë së tyre”, deklaroi Evans.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin spekulimet mbi motivet e incidentit, duke theksuar se hetuesit duhet të kenë hapësirën e nevojshme për të vijuar punën.
Autoritetet britanike po hetojnë gjithashtu nëse Irani mund të ketë lidhje me atë që dyshohet si një komplot me bombë. Në korrik, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kishte përmendur publikisht përdorimin e RAF Fairford nga bombarduesit amerikanë dhe kishte paralajmëruar Britaninë se çdo bazë e përdorur për sulme ndaj territorit iranian do të konsiderohej objektiv legjitim.
Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i ka mohuar kategorikisht këto pretendime. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale të hënën, ambasada i cilësoi si “të pabazuara” dhe “dashakeqe” spekulimet që lidhin Iranin me arrestimin e pesë personave pranë RAF Fairford.
Ambasada iraniane tha se këto pretendime shërbejnë, sipas saj, për të nxitur “propagandën e Iranofobisë” në Britani dhe deklaroi se Republika Islamike e Iranit rezervon të drejtën të ndërmarrë masa ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




