Netanyahu hedh poshtë pretendimet e “Wall Street Journal”: Pas akuzave fshihet një komplot për rrëzimin e qeverisë

Botë | 2 orë më parë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përsëritur mohimin e raporteve se kreu i inteligjencës egjiptiane të asaj kohe, Abbas Kamel, e kishte telefonuar në fillim të tetorit 2023 për ta paralajmëruar në lidhje me një sulm të afërt nga Rripi i Gazës.

Në një reagim të publikuar në platformën X, Netanyahu i ka cilësuar këto pretendime si “akuza të rreme për gjak” dhe pjesë të një fushate të koordinuar ndërkombëtare.

Reagimi i plotë dhe akuzat për ndërhyrje të huaj

Sipas kreut të qeverisë izraelite, pas këtyre publikimeve që datojnë nga pretendimet e Wall Street Journal, fshihen aktorë të huaj armiqësorë dhe shtete rajonale.

“Nuk ka asnjë të vërtetë në lajmet e publikuara në Wall Street Journal. Pas këtyre ‘akuzave të rreme për gjak’ qëndrojnë edhe shtete dhe aktorë të huaj armiqësorë, përfshirë vendet arabe, që synojnë të rrëzojnë qeverinë e krahut të djathtë dhe ta zëvendësojnë atë me një qeveri të krahut të majtë,” shkroi Netanyahu.

Në mbyllje të postimit të tij, kryeministri izraelit e ka reduktuar debatin politik se lidhet me situatën elektorale, duke shkruar: “Kjo është pyetja elektorale: ose e djathta ose Palestina”.

Deklarata e Netanyahut prek një nga çështjet më të ndjeshme dhe të debatuara në opinionin publik izraelit në lidhje me dështimet e mundshme të shërbimeve të inteligjencës para ngjarjeve të 7 tetorit 2023. Pretendimet e mediave ndërkombëtare se Izraeli kishte marrë sinjale të qarta paralajmëruese nga partnerët rajonalë, si Egjipti, kanë qenë vazhdimisht në qendër të kritikave të opozitës dhe familjarëve të pengjeve ndaj kabinetit aktual.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme