Athina ndjek modelin italian, qendër riatdhesimi për emigrantët në një vend afrikan

Greqia po përgatitet të ndjekë hapat e Italisë, duke planifikuar ngritjen e një qendre riatdhesimi për emigrantët në një shtet afrikan. Lajmi u bë i ditur nga ministri grek për Migracionin dhe Azilin, Thanos Plevris, gjatë një interviste për televizionin Ant1, ku specifikoi se qendra pritet të jetë funksionale gjatë presidencës së radhës së BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Edhe pse vendndodhja e saktë nuk është bërë ende publike, duke u lënë të kuptohet se është identifikuar tashmë – me shtete si Uganda dhe Ruanda si opsione të mundshme – projekti po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Danimarkën, Austrinë, Gjermaninë dhe Holandën.
Propozimet për masa të jashtëzakonshme dhe reagimi ndaj krizave kufitare
Në prag të Këshillit Evropian të Çështjeve të Brendshme më 1 tetor, ministri Plevris paralajmëroi se Greqia do të paraqesë një propozim për “një mekanizëm për masa të jashtëzakonshme”. Ky hap vjen si reagim ndaj situatave të ngjashme me flukset masive në enklavën spanjolle të Ceutës, ku u raportua kalimi i 72,000 migrantëve nga Maroku.
“Në kohë krize, duhet të merren masa jokonvencionale,” deklaroi Plevris, duke shtuar se në raste të tilla të shfrytëzimit të migracionit, kërkesat për azil nuk duhet të merren në konsideratë, por të shoqërohen me urdhra dhe zbatim të menjëhershëm të riatdhesimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




