“Armëpushimi energjetik”,  Zelensky: Sulmet ruse ndaj infrastrukturës tonë, përgjigjja e Putinit ndaj Trump

Botë | 1 orë më parë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Kievi është i gatshëm të respektojë një armëpushim energjetik, nëse edhe Moska ndalon sulmet ndaj infrastrukturës kritike të Ukrainës.

Deklarata vjen pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se një armëpushim i tillë ishte arritur mes dy vendeve. Megjithatë, Zelensky tha se kishte mësuar për marrëveshjen nga mediat dhe se nuk kishte marrë konfirmim nga pala ruse.

Sipas tij, menjëherë pas njoftimit të Trump, Rusia goditi një objekt të prodhimit të gazit në Ukrainë dhe një pikë karburanti. Zelensky i cilësoi këto sulme si përgjigjen e Vladimir Putinit ndaj presidentit amerikan.

Kreu i shtetit ukrainas theksoi se vendi i tij është i gatshëm të ndalojë sulmet ndaj rafinerive dhe eksporteve ruse të naftës, nëse Rusia ndalon goditjet ndaj sistemit energjetik ukrainas.

“Ky armëpushim energjetik mund të funksionojë dhe mund të bëhet një hap i madh drejt përfundimit të luftës, nëse amerikanët ndërhyjnë dhe sigurojnë që rusët ta respektojnë atë”, u shpreh Zelensky.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, deklaroi se Ukraina nuk e meriton “pushimin” që do të sillte një armëpushim, ndërsa Kremlini nuk ka dhënë një konfirmim të qartë për marrëveshjen.

Zelensky paralajmëroi se Ukraina do të përgjigjet nëse Rusia vijon sulmet gjatë dimrit, duke përsëritur se armëpushimi duhet të zbatohet nga të dyja palët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme