Aftësia e kufizuar ende pengohet për akses në drejtësi, FSHDAK: Në 5 bashki mbi 900 persona përfituan ndihmë juridike falas

Shëndet | 1 orë më parë

Personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri vijojnë të përballen me pengesa për të ushtruar të drejtat e tyre dhe për të pasur akses në drejtësi, pavarësisht përmirësimeve të kuadrit ligjor.

“Rruga për të kërkuar drejtësi vazhdon të shoqërohet me pengesa. Ato lidhen me kuadrin ligjor, aksesueshmërinë e institucioneve dhe të procedurave, aksesin në informacion dhe komunikim, por edhe me mënyrën se si institucionet i njohin dhe i respektojnë personat me aftësi të kufizuara si subjekte të barabarta të së drejtës”, u shpreh Blerta Cani, drejtuese e FSHDPAK.

Që askush të mos mbetet pa mbrojtje ligjore , marrja e ndihmës juridike falas për këta persona është e rëndësishëm por jo gjithmonë ajo njihet nga ata dhe përdoret.

“Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, janë 516 persona që kanë përfituar ndihmë juridike parësore dhe 114 persona që kanë përfituar ndihmë juridike dytësore. Për një person që nuk dëgjon, kjo mundësi lidhet drejtpërdrejt me sigurimin e interpretimit në gjuhën e shenjave. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë po punon për përfshirjen e interpretëve të gjuhës së shenjave në regjistrin elektronik të ekspertëve, si dhe për mbulimin e kostove përkatëse nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, sipas procedurave ligjore”, tha Elona  Hoxha  Zv/min e drejtësisë.

Për autoritet shëndetësore përgatitja e ligjit për aksesueshmërinë është ende në proces dhe kërkon vëmendje nga të gjitha palët.

“Synimi është që produktet dhe shërbimet, përfshirë informacionin, komunikimin dhe shërbimet dixhitale, të jenë më të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara”, tha Denada Seferi – Zv/min e shëndetësisë.

Këto çështje u diskutuan në konferencën kombëtare “EU4Drejtësia Gjithëpërfshirëse për Aftësinë e Kufizuar në Shqipëri” ku për 30 muaj në pesë bashki të vendit u arrit që 2,000 persona me aftësi të kufizuara të marrin informacion ligjor të përshtatur dhe të aksesueshëm ndërsa 900 të tjerë të përfitojnë nga shërbimet e ndihmës juridike falas, përfshirë shërbime pranë komunitetit, në banesë dhe online.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme