Hoxha takim me ambasadorët e BE-së: Dialog me protestuesit, por dhuna është e papranueshme

Politikë | 2 orë më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ku në fokus ishte situata aktuale në vend, respektimi i lirive demokratike dhe rëndësia e dialogut politik.

Gjatë bisedës me përfaqësuesit diplomatikë, Hoxha riafirmoi qëndrimin e qeverisë për garantimin e së drejtës për manifestim paqësor, duke theksuar se dhuna dhe aktet e vandalizmit nuk mund të justifikohen si forma të shprehjes politike.

Sipas ministrit, sulmet ndaj pronës publike dhe private janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimet demokratike që duhet të udhëheqin funksionimin e shoqërisë.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte ruajtja e stabilitetit institucional dhe respektimi i shtetit të së drejtës. Hoxha nënvizoi se veprimet e autoriteteve publike duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe të respektojnë parimin e proporcionalitetit.

Ministri u shpreh gjithashtu i gatshëm për dialog me të gjithë ata që distancohen nga aktet e dhunës, duke e konsideruar komunikimin si rrugën e duhur për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të adresuar shqetësimet.

Gjatë takimit me ambasadorët, Hoxha u ndal edhe te procesi i integrimit evropian, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet strategjik kombëtar.

Ai theksoi se situatat e vështira duhet të shërbejnë si nxitje për të vijuar reformat dhe për të forcuar standardet demokratike, në përputhje me angazhimet e vendit në rrugën drejt anëtarësimit.

Në përfundim, ministri vlerësoi dialogun me partnerët evropianë dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Shqipërinë, në funksion të objektivit të përbashkët për integrimin në Bashkimin Evropian.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme