Shkencëtarët zbulojnë rolin e ujit në përhapjen e Alzheimerit në tru

Kuriozitete | 1 orë më parë

Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore PNAS ka zbuluar një mekanizëm të rëndësishëm që mund të shpjegojë se si përhapet sëmundja e Alzheimerit në tru. Studiuesit nga Universiteti Northwestern dhe Universiteti i Kalifornisë thonë se molekulat e ujit luajnë një rol kyç në grumbullimin e proteinës tau, e cila lidhet ngushtë me zhvillimin e Alzheimerit dhe formave të tjera të demencës.

Proteina tau gjendet natyrshëm në tru dhe ndihmon në funksionimin normal të qelizave nervore. Por te personat që vuajnë nga Alzheimeri, ajo mund të ndryshojë formë, të grumbullohet dhe të krijojë struktura të dëmshme të njohura si fibrile. Këto grumbullime shkaktojnë dëmtime progresive të qelizave nervore dhe përkeqësim të kujtesës e funksioneve njohëse.

Gjatë kërkimit, shkencëtarët identifikuan një zonë specifike të proteinës tau, të cilën e quajtën “pikë aktive”. Sipas tyre, kjo zonë largon molekulat e ujit nga sipërfaqja e proteinës, duke krijuar kushtet që proteinat tau të lidhen me njëra-tjetrën dhe të formojnë fibrile.

Profesori i kimisë fizike në Universitetin Northwestern, Sunji Han, shpjegoi se molekulat e ujit krijojnë një shtresë mbrojtëse rreth kësaj zone të proteinës, duke ndihmuar ndërveprimin mes proteinave tau dhe duke favorizuar procesin e grumbullimit të tyre.

Eksperimentet treguan se formimi i fibrileve varet nga rreshtimi i saktë i proteinave tau. Studiuesit zbuluan se kur kjo “pikë aktive” bllokohet me një përbërje kimike, procesi i grumbullimit ndërpritet dhe fibrilet nuk arrijnë të formohen.

Sipas autorëve të studimit, ky zbulim hap perspektiva të reja për zhvillimin e trajtimeve kundër Alzheimerit. Në vend që të trajtohen vetëm simptomat ose dëmet e shkaktuara nga sëmundja, terapitë e ardhshme mund të synojnë bllokimin e procesit që lejon përhapjen e proteinës tau në tru.

Shkencëtarët shpjegojnë se kur një qelizë nervore e mbushur me fibrile vdes, këto struktura lirohen dhe kalojnë në qeliza të tjera, ku vazhdojnë të shumohen. Kjo është një nga arsyet pse sëmundja përhapet gradualisht në zona të ndryshme të trurit.

Sipas ekipit kërkimor, identifikimi i mekanizmit që nis grumbullimin e proteinës tau mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimit të Alzheimerit dhe të formave të tjera të demencës. Ata theksojnë se kuptimi më i thellë i këtij procesi është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të trajtimeve më efektive për sëmundjet neurodegjenerative që prekin miliona njerëz në mbarë botën.

 

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme