Tradita e mbledhjes së bimëve medicinale në rrezik, të rinjtë nuk e preferojnë si punë

Sociale | 2 orë më parë

Një traditë që për vite me radhë ka lidhur banorët me natyrën po përballet me një problem serioz mungesën e njerëzve që do ta vazhdojnë. Mbledhja e bimëve medicinale në malet e zonës kërkon njohuri, kohë dhe përpjekje fizike, por gjithnjë e më pak të rinj zgjedhin të merren me këtë punë. Ata që vazhdojnë ta ushtrojnë janë kryesisht persona në moshë të madhe, për të cilët puna në terren bëhet më e vështirë me kalimin e viteve.

“Unë shikoj që këto bimët e malit po rrezikojnë të mos mblidhen më, jo sepse nuk ka bimë. Bimë ka shumë, sherebelë ka shumë në mal, dafinë ka, si dhe të gjitha llojet e tjera të bimëve. Por problemi është te njerëzit që i grumbullojnë këto bimë. Disa prej tyre janë plakur, pasi e kishin si traditë dhe nuk bënin dot pa vjeljen e këtyre bimëve. Të rinjtë tani ose merren me turizëm, ose kanë ikur”, u shpreh Pranvera Çeço, Grumbulluese e bimëve medicinale.

Edhe pse ka të rinj që merren me mbledhjen e bimëve, numri i tyre mbetet i kufizuar. Kjo ngre pikëpyetje për të ardhmen e një aktiviteti që kërkon jo vetëm fuqi fizike, por edhe njohjen e bimëve dhe të vendeve ku ato rriten.

“Tani ka edhe të rinj, por ka filluar të bjerë shumë vjelja e këtyre bimëve nga ana e tyre. Kryesisht, bimët i mbledhin personat e moshës së mesme”, tha ajo

Pa njerëz që ta vazhdojnë këtë punë, rrezikohet të humbasë gradualisht edhe përvoja e krijuar ndër vite. Përtej grumbullimit të bimëve, sfida është që njohuritë e brezave më të vjetër të mos mbeten pa pasues.

Gazetare: B. Gjyli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme