JD Vance letër Teheranit, kërkon rinisjen e bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit

Botë | 1 minutë më parë

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance i dërgon letër shefit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, në përpjekje për të rinisur bisedimet e paqes.

Sipas një raporti ekskluziv të The Wall Street Journal, të cituar nga zyrtarë amerikanë dhe persona të njohur me çështjen, Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka dërguar një letër drejtuar Mohsen Rezaei-t, sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit dhe ish-komandantit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Qëllimi i këtij kontakti është rilançimi i bisedimeve të pezulluara të paqes mes Uashingtonit dhe Teheranit.⁠

Iniciativa u ndërmor me drejtimin e Presidentit Donald Trump, i cili ishte i informuar për të. Vance synon të vlerësojë nëse ekziston një bazë e mjaftueshme e përbashkët midis dy vendeve për të bindur Trump-in të heqë dorë nga urdhri i një fushate ushtarake të shkurtër por intensive kundër Iranit në javët e ardhshme, pas zgjedhjeve të mesme amerikane të 3 nëntorit. Kontakte të mëtejshme mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë janë fokusuar kryesisht në krijimin e një kuadri për negociata, jo në detaje konkrete të një propozimi paqeje.

Ky hap vjen në një moment të tensionuar. Presidenti Trump ka kërcënuar me rinovim të sulmeve kundër Iranit pas zgjedhjeve të mesme. Ai ka deklaruar publikisht se “nuk po negociojmë me ta” dhe se “do të ketë një rezultat një mënyrë ose tjetër, dhe do të ndodhë së shpejti”. Washingtoni u ka kërkuar disa vendeve arabe të Gjirit të përgatiten për një fushatë të mundshme ushtarake, megjithëse Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar.⁠

Konflikti aktual, i nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në fund të shkurtit (nën emrin Operation Epic Fury), ka shkaktuar ndërprerje të rënda në furnizimet e energjisë nga vendet e Gjirit dhe ka pasur pasoja ekonomike globale. Irani ka bllokuar Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm botëror, dhe ka sulmuar anije që përpiqen të kalojnë pa autorizimin e tij. Nga ana tjetër, Rezaei ka paralajmëruar se Irani do të hakmerrej më gjerësisht në rast të një sulmi të ri, duke përfshirë objektiva të lidhura me infrastrukturën amerikane.⁠

Vance ka mbështetur publikisht luftën kundër Iranit, por sipas burimeve ka shprehur rezervat private ndaj zgjatjes së saj. Para fillimit të operacionit ushtarak, ai mbrojti intensifikimin e përpjekjeve diplomatike. Trump më vonë ia ngarkoi atij përgjegjësinë e negociatave, dhe Vance udhëtoi dy herë jashtë vendit për takime me përfaqësues iranianë. Disa zyrtarë amerikanë besojnë se angazhimi me hardliner-ët iranianë, të cilët kanë fituar influencë pas goditjeve amerikane dhe izraelite që vranë udhëheqës të regjimit në fillim të konfliktit, mund të sjellë një rezultat më të mirë diplomatik. Rezaei ka deklaruar javën e kaluar se Teherani nuk do të negociojë derisa të plotësohen kërkesa të caktuara thelbësore.⁠

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme