Nurellari: Leksioni në Serbi e tronditi Berishën. Ai nuk do konkurencë brenda opozitës

Politikë | 58 minuta më parë

Analisti Adri Nurellari deklaroi se reagimi i fundit i Sali Berishës ndaj protestës “Flamingo” lidhet me afrimin e zgjedhjeve lokale dhe me frikën se nga kjo lëvizje mund të lindë një alternativë e re politike brenda kampit opozitar.

I ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, Nurellari tha se kreu i Partisë Demokratike është i shqetësuar për humbjen e monopolizimit të opozitës.

Sipas tij, protestat e muajve të fundit kanë nxjerrë në pah një realitet të ri politik që ka vënë në alarm lidershipin tradicional të opozitës.

“Partia Demokratike ishte larg protagonizmit, ishte e eklipsuar dhe u ndje e kërcënuar sepse i humbi monopoli i opozitës. Berisha ndihet i kërcënuar në prag të zgjedhjeve lokale nga mundësia që protesta të formalizohet e të krijojë një alternativë. Berisha është më i shqetësuar për një konkurrencë brenda opozitës sesa është i shqetësuar për të ofruar një alternativë për të rrëzuar Ramën”, u shpreh Nurellari.

Nurellari argumentoi se shumica e pjesëmarrësve të protestave aktuale janë të njëjtët qytetarë që kanë qenë pjesë e protestës “Flamingo”, por që sipas tij janë radikalizuar nga përplasjet me policinë dhe nga mungesa e dëgjimit të kërkesave të tyre.

“Për këdo që e ka parë protestën nga afër, janë të njëjtët njerëz. Nuk po flas për elementë sporadikë huliganizmi, por ata që janë në ballë, më të devotshmit, janë të njëjtët njerëz. Janë radikalizuar sepse për një kohë të gjatë nuk janë dëgjuar dhe sepse janë ballafaquar me reagim joproporcional nga policia”, tha ai.

Një nga arsyet kryesore të shqetësimit të Berishës, sipas Nurellarit, është zhvillimi politik i ndodhur në Serbi, ku një lëvizje qytetare dhe studentore u kthye në faktor politik vendimtar.

“Elementi i dytë i rëndësishëm është leksioni që na erdhi nga Serbia. Ai leksion e tronditi Berishën, sepse ajo që ndodhi ishte që opozita tradicionale u detyrua t’i bashkohej frymës që kishte krijuar protesta studentore, e cila nga protestë u bë lëvizje dhe nga lëvizje u bë arenë politike.”

Sipas tij, zhvillimet në Serbi dhe në vende të tjera të Europës kanë rrëzuar argumentin se një sistem i kapur nuk mund të mposhtet përmes votës.

“Në të dyja rastet pamë se me lidership të ri, me figura të reja dhe alternativa të reja politike mund të rrëzohet edhe një shtet i kapur. Ky është një leksion që ka prodhuar optimizëm për ata që besojnë se nuk kanë nevojë për patericat e vjetra të partive ekzistuese që refuzojnë të reformohen”, deklaroi Nurellari.

Ai shtoi se protesta jo vetëm që nuk u shua, siç prisnin shumë aktorë politikë, por nisi të japë sinjale organizimi dhe formalizimi politik.

“Protesta jo vetëm që nuk u fik, siç shpresuan shumëkush, por mori një hov të ri dhe u dukën sinjale të organizimit e formalizimit. Para kësaj situate shtohet edhe fakti që po afrohen zgjedhjet lokale. Kjo krijon presion mbi opozitën tradicionale.”

I pyetur për synimet e Berishës pas kritikave ndaj protestës, Nurellari tha se qëllimi kryesor mbetet ruajtja e kontrollit mbi hapësirën opozitare.

“Hamendësoj se ai do të rivendosë monopolin e opozitës. Do të mbajë monopolin e menaxhimit të zemërimit të shoqërisë. Do të eliminojë konkurrencën. Ata që nuk mund t’i nënshtrojë ose t’i fusë në rresht, do të përpiqet t’i anatemojë dhe t’i dëmtojë.”

Në fund, analisti argumentoi se radikalizimi i debatit politik u ka shërbyer partive tradicionale, pasi sipas tij largon vëmendjen nga kauzat qytetare.

“Kur debati kalon te gurët, te dhuna dhe te përplasjet, largohet vëmendja nga kauzat, problemet dhe skandalet. Radikalizimi i leverdis dy partive tradicionale sepse njerëzit rikthehen në barrikadat e vjetra politike. Unë mendoj se ky përshkallëzim ka qenë një zhvillim që i ka shërbyer establishmentit, sepse largon vëmendjen nga kauza dhe e çon te frika, te dhuna dhe agresiviteti”, përfundoi Nurellari.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme