Erdogan optimist për paqen në Ukrainë, Zelensky kërkon përfshirjen e Evropës dhe Turqisë në bisedime

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shprehu optimizëm për bisedimet e ardhshme të paqes mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë, pas takimit që zhvilloi të shtunën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Erdogan tha se Turqia është e gatshme të japë çdo kontribut për avancimin e procesit të paqes dhe theksoi se Ankaraja synon të vazhdojë konsultimet edhe me Moskën për arritjen e një marrëveshjeje.
“Dua të theksoj se jemi të gatshëm të bëjmë çdo përpjekje për të hapur rrugën për paqe. Besoj se arritja e një marrëveshjeje do t’i japë një shtysë të re përpjekjeve për të arritur paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Synojmë ta çojmë përpara procesin duke diskutuar këtë çështje edhe me Rusinë”, deklaroi presidenti turk.
Erdogan shprehu gjithashtu shqetësim për përshkallëzimin e incidenteve në Detin e Zi, duke dënuar sulmet ndaj anijeve tregtare dhe civile.
“Është e qartë se sulmet ndaj anijeve civile dhe masat që do të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit në Detin e Zi nuk i sjellin dobi askujt. Nuk është e mundur të pranohen këto sulme, pavarësisht se kush i kryen ato dhe cili është justifikimi i tyre”, tha ai.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se me Erdoganin diskutoi për bisedimet e ardhshme trepalëshe mes negociatorëve të SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, të cilat pritet të zhvillohen në fillim të muajit nëntor.
Zelensky theksoi se Kievi dëshiron që në procesin diplomatik të përfshihen edhe vendet evropiane, si dhe Turqia, me synimin për t’i dhënë fund luftës që tashmë ka hyrë në vitin e pestë.
Presidenti ukrainas vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Ankarasë në fushën e energjisë, duke njoftuar se të dy vendet kanë rënë dakord për rritjen e bashkëpunimit në këtë sektor, ndërsa Ukraina vazhdon të përballet me sulme të shtuara ruse ndaj infrastrukturës energjetike.
Në aspektin strategjik, Erdogan riafirmoi mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës dhe përfshirjen e kompanive turke në procesin e rindërtimit të vendit pas luftës.
Ndërkohë, Zelensky e cilësoi Turqinë një partner të rëndësishëm të Ukrainës, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.
“Turqia dhe Ukraina janë aleatë natyrorë në industrinë e mbrojtjes. Ne po punojmë për të forcuar partneritetin tonë dypalësh”, u shpreh presidenti ukrainas.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




