Paketa Fiskale 2027, Ibrahimaj: Ulet TVSH-ja për ushqimet, hiqet taksa e qarkullimit për karburantet

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar drejtimet kryesore të Paketës Fiskale 2027, duke bërë të ditur se në fokus të saj do të jenë qytetarët dhe lehtësimi i kostos së jetesës. Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, Ibrahimaj deklaroi se politika e re fiskale synon uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, karburanteve dhe kostove të strehimit, përmes një sërë lehtësirash tatimore.
Ministrja theksoi se masat janë hartuar duke marrë parasysh kërkesat dhe shqetësimet e grupeve të ndryshme të shoqërisë, përfshirë prindërit, studentët dhe pensionistët.
“Paketa fiskale e vitit 2027 ka në fokus qytetarët, duke synuar uljen e çmimeve të ushqimeve, të karburanteve, të qirave dhe të shtëpive. Kemi dëgjuar kërkesat e prindërve, të studentëve, të pensionistëve dhe kemi hartuar politikën e re të taksave që lehtëson koston e jetesës, duke ofruar në të njëjtën kohë shërbime më të mira për të gjithë dhe duke i dhënë ekonomisë stimujt që i duhen”, u shpreh Ibrahimaj.
Ndër masat kryesore të bëra publike nga ministrja është ulja e TVSH-së për ushqimet e shportës, me synimin për të reduktuar barrën e shpenzimeve të përditshme për familjet shqiptare. Gjithashtu, parashikohet ulja e taksimit për shtresën e mesme dhe heqja e taksës së qarkullimit për karburantet në momentin e furnizimit në pika të shitjes me pakicë.
“Ne do të ulim TVSH-në e ushqimeve, do të taksojmë më pak shtresën e mesme, do të heqim taksën e qarkullimit për karburantet nga pompa, kur furnizojmë makinat, do të vazhdojmë të mbajmë të përjashtuar biznesin e vogël, ndërsa synojmë formalizimin e tij”, deklaroi ministrja.
Një tjetër element i paketës lidhet me mbështetjen për strehimin e përballueshëm, ndërsa qeveria synon të ndërhyjë edhe në lehtësimin e kostove të qirave dhe banesave. Ibrahimaj e cilësoi paketën si një politikë fiskale sociale, të orientuar drejt nevojave të qytetarëve dhe mbështetjes së ekonomisë.
“Kjo është një paketë fiskale sociale, në funksion të qytetarëve për të garantuar një jetesë më të mirë për të gjithë”, theksoi ajo.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




