Abissnet Superiore në RTSH/ Mbyllet java e 10-të. Partizani rikthehet te fitorja, triumfojnë edhe Egnatia dhe Elbasani

Java e 10-të e kampionatit “Abissnet Superiore” është mbyllur me ndeshjen Teuta – Partizani, ku triumfuan të kuqtë me rezultatin 0-1, duke ndërprerë serinë prej gjashtë humbjesh radhazi dhe duke marrë tri pikë të rëndësishme në transfertë.
Fitorja e Egnatias në stadiumin e Vorës ndaj Tiranës, me rezultatin 1-2, i mundësoi skuadrës rrogozhinase të shkëputet në krye të renditjes. Egnatia përfiton edhe nga humbja e Teutës dhe tashmë kryeson e vetme me 24 pikë, katër më shumë se durrsakët, që mbeten në vendin e dytë me 20 pikë.
Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, AF Elbasani fitoi 2-1 ndaj Laçit, ndërsa Skënderbeu dhe Vllaznia ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1. Vora dhe Dinamo City dhuruan një përballje me katër gola, që përfundoi në barazim 2-2.
Pas 10 javësh kampionat, Egnatia kryeson me 24 pikë, e ndjekur nga Teuta me 20 dhe Dinamo City me 17 pikë. Në pjesën e sipërme të tabelës renditen gjithashtu AF Elbasani me 14 pikë, Tirana dhe Vora me nga 12 pikë.
Skënderbeu dhe Laçi kanë nga 11 pikë, ndërsa Vllaznia numëron 9 pikë. Partizani mbyll tabelën me 7 pikë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




