Nga Karrica te dyshja Mazari-Nikaj, goleadorët e rinj të Abissnet Superiore

Bekim Balaj, pavarësisht vlerave, personalitetit dhe lidershipit te Vllaznia, nuk është i përjetshëm. Sulmuesi dhe kapiteni i shkodranëve, me kalimin e viteve, nuk mund të ruajë të njëjtin ritëm në shënimin e golave.
Prandaj dhe pas 10 ndeshjeve të para të këtij sezoni e sheh veten poshtë në klasifikimin e golashënuesve më të mirë. Vendi i 7-të me 4 gola duket i pazakontë për të, por sigurisht që ky moment do të vinte. Goleadorët e Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, tani janë të tjerë. Lista ndryshon thuajse totalisht në krahasim me një vit më parë.
Ndryshon, sepse emra si Erald Maksuti, Irgi Kasalla, Dejvi Bregu, Blaise Tsague e Xhonatan Lajthia nuk janë më pjesë e futbollit elitar në Shqipëri. Të gjithë këta sulmues, falë golave të sezonit të shkuar, kanë siguruar një kontratë më të mirë në kampionate të huaja.
Bernard Karrica i Vorës dhe Atdhe Mazari i Elbasanit zënë rreshtin e parë në renditjen e golashënuesve, të dy me nga 6 gola. Karrica sezonin e shkuar u penalizua nga një dëmtim që e mbajti jashtë fushave për shumë kohë. Këtë sezon e ka nisur shumë mirë, ashtu si rivali Mazari, që luan sezonin e parë në Abissnet Superiore dhe është ambientuar shumë mirë.

Elbasani ka edhe një golashëjneus tjetër pas këtyre 10 javëve, Ardit Nikajn, i cili është një emër i njohur në futbollin tonë nga eksperienca që ka pasur me Skënderbeun. Shkodrani ka shënuar 5 gola deri tani.
“Marka” të njohura goli në futbollin shqiptar janë edhe Charles Bismark i Skënderbeut e Redon Xhixha i Tiranës, të dy me nga 5 gola.
Egnatia kampione dhe kryesuese e kampionatit ka Albanesen dhe Loukilin aktualisht në 10-shen e parë të golashënuesve më të mirë. Kanë shënuar nga 4 gola secili, edhe pse asnjëri prej tyre nuk është qendërsulmues. Teuta e vendit të dytë përfaqësohet me dy sulmuesit Pedro e Umeijego, edhe këta me nga 4 gola.
Lista e golashënuesve më të mirë të katij sezoni në Abissnet Superiore ofron një panoramë tjetër vërtet interesante. Vlen të theksohet se të paktën deri tani ka një ritëm më të mirë në raport me sezonin e shkuar. Bekim Balaj e fitoi “Këpucën e artë” me 14 gola, aktualisht, pas 10 javësh, Karrica e Mazari kanë shënuar nga 6 gola.
F.R
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




