Progres-raporti 2026/ BE vlerëson përparimin e Shqipërisë në negociata: Po ecën me ritme të shpejta. Forconi luftën ndaj korrupsionit, reformë zgjedhore përpara vendoreve 2027

Politikë | 2 orë më parë

Shqipëria ka shënuar përparim në procesin e integrimit europian, duke hapur grupkapitullin e fundit të negociatave, përmbushur standardet ndërmjetëse të grupkapitullit të parë dhe mbyllur përkohësisht katër kapituj. Megjithatë, Komisioni Europian evidenton një sërë problematikash që kërkojnë ndërhyrje, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e drejtësisë, lirinë e medias, funksionimin e institucioneve dhe konkurrueshmërinë ekonomike.

Në progres-raportin për vitin 2026, Komisioni vlerëson angazhimin e Shqipërisë për integrimin në BE dhe objektivin për mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027. Por Brukseli thekson se ky proces kërkon përshpejtim të reformave dhe rezultate konkrete në zbatimin e tyre.

Në fushën e demokracisë, raporti kërkon një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, duke evidentuar se disa rekomandime të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias vijojnë të mos jenë adresuar. Shqetësim mbetet edhe mungesa e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe efektiviteti i pjesshëm i Kuvendit në kontrollin e ekzekutivit.

“Kuadri ligjor dhe institucional për zgjedhjet është përgjithësisht i përshtatshëm. Megjithatë, disa rekomandime të kahershme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE/ODIHR) dhe Komisionit të Venecias ende nuk janë adresuar. Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Mungesa e dialogut të mirëfilltë politik dhe e konsultimeve publike, si dhe përplasjet mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, vijojnë të kufizojnë efektivitetin e Kuvendit. Parlamenti ka dështuar gjithashtu të zbatojë disa vendime të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në raport.

Në reformën në drejtësi, Shqipëria vlerësohet se ka shënuar progres të mirë. Komisioni evidenton përfundimin e procesit të vettingut për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, por thekson se sistemi vijon të përballet me mungesë burimesh njerëzore, vonesa në shqyrtimin e çështjeve dhe ndërhyrje të papërshtatshme politike.

Një vlerësim pozitiv merr edhe puna e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, Komisioni kërkon më shumë hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht për çështjet e profilit të lartë.

“SPAK ka vijuar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke shënuar përparim konkret drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm rezultatesh. Megjithatë, korrupsioni mbetet një sfidë reale”, thekson Komisioni Europian.

Sa i përket të drejtave themelore, raporti kërkon më shumë rezultate për të drejtën e pronës, mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe përmirësimin e kushteve në burgje. Një tjetër kërkesë është përfundimi i regjistrimit fillestar të pronave dhe digjitalizimi i hartave kadastrale.

Në luftën kundër krimit të organizuar, Shqipëria vlerësohet për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, rritjen e përdorimit të hetimeve financiare dhe rezultatet e para në sekuestrimin e pasurive kriminale. Megjithatë, Komisioni kërkon më shumë dënime përfundimtare për trafikimin e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, si dhe forcimin e prokurorive në nivel lokal.

“Shqipëria ka bërë përparim të mirë në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar. Kapacitetet dhe efektiviteti i sistemit të prokurorisë për hetimin e grupeve kriminale, si dhe përdorimi i hetimeve financiare, kanë vijuar të zhvillohen. Lufta kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimi i pasurive të lidhura me krimin e organizuar janë forcuar”, thuhet në raport.

Progres-raporti 2026/ KE: Shqipëria në linjë me politikën e jashtme të BE-së

Shqipëria vijon të dëshmojë përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, ndërsa ka forcuar angazhimin në misionet ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes

Sipas raportit, Shqipëria ka vijuar të përafrojë qëndrimet dhe politikat e saj me ato të BE-së, ndërsa një vlerësim pozitiv jepet edhe për pjesëmarrjen e Shqipërisë në nismat ndërkombëtare për mbështetjen e Ukrainës. Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria do të presë samitin e ardhshëm të NATO-s.

“Shqipëria ka vijuar të jetë plotësisht e përafruar me qëndrimet e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë në emër të Bashkimit Europian dhe vendimet e Këshillit për masat kufizuese. Shqipëria vijoi pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Përveç EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëria tashmë kontribuon edhe në operacionin EUNAVFOR ASPIDES për sigurinë detare në Detin e Kuq, Oqeanin Indian dhe Gjirin Persik”, thuhet në raport.

KE: Ulet borxhi publik, turizmi mban në këmbë rritjen ekonomike. Industria dhe bujqësia, pikat më problematike

Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje për funksionimin e ekonomisë së tregut, ndërsa ekonomia gjatë vitit 2026 ka vijuar të ruajë ritme të forta rritjeje, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe turizmi.

Në raportin e progresit, Brukseli evidenton gjithashtu uljen e borxhit publik dhe përmirësimin e tregut të punës. Megjithatë, pavarësisht ecurisë pozitive të turizmit, industria dhe bujqësia vijojnë të mbeten sektorë me produktivitet të ulët dhe në tkurrje.

“Shqipëria vazhdon të përfitojë nga rritja e fortë e turizmit, por industria dhe bujqësia mbeten sektorë me produktivitet të ulët, të cilët kanë qenë në tkurrje. Eksportet industriale ranë për të tretin vit radhazi, si pasojë e dobësimit të kërkesës së jashtme, forcimit të lekut dhe aftësisë së kufizuar të bizneseve për të konkurruar përmes çmimeve”, thekson raporti.

Në fushën fiskale, Brukseli kërkon përfundimin e kadastrës fiskale, përshpejtimin e miratimit të ligjit për taksën e pronës dhe forcimin e transparencës në menaxhimin e financave publike.

Raporti i KE: Kuadër ligjor për të garantuar transparencën e pronësisë dhe financimit të mediave

Komisioni Evropian ngre shqetësime për lirinë dhe pavarësinë e medias në Shqipëri, duke evidentuar përqendrimin e pronësisë, ndikimin e grupeve të biznesit me lidhje politike dhe mungesën e transparencës mbi financimin e mediave.

Në raportin e progresit për Shqipërinë, Komisioni thekson se pavarësia dhe pluralizmi mediatik vijojnë të ndikohen nga mbivendosja e interesave politike dhe ekonomike, ndërsa gazetarët përballen me intimidim, fushata denigruese dhe kushte të pasigurta pune.

“Pavarësia dhe pluralizmi i medias vijojnë të ndikohen nga depërtimi ekonomik në tregun mediatik i grupeve të biznesit me lidhje politike, mbivendosja e interesave politike dhe ekonomike, mungesa e transparencës së burimeve të financimit dhe përqendrimi i lartë i pronësisë së medias. Shqetësim mbeten gjithashtu intimidimi, fushatat denigruese dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët”, thuhet në raport.

Brukseli kërkon ndërhyrje në kuadrin ligjor dhe rregullator për të garantuar transparencën e pronësisë dhe financimit të mediave, pluralizmin dhe pavarësinë editoriale. Po ashtu, kërkohet forcimi i autonomisë së autoritetit rregullator dhe pavarësisë së transmetuesit publik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme