Protestat në Francë dhe në Greqi, mijëra qytetarë e studentë në rrugë kundër kostos së jetesës dhe investimeve në arsim

Europë | 17 minuta më parë

Në një përshkallëzim të ri të protestave në Francë, më shumë se 250 mijë persona dolën në rrugë në 73 qytete të vendit. Sindikatat kërkojnë rritje të pagave, reforma në sistemin e taksave dhe përmirësim të kushteve në arsim për të rinjtë.

Ato kanë kundërshtuar gjithashtu kufizimet e vendosura nga policia ndaj protestave. Tubime  zhvillohen në një kohë kur ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës po përpiqet të përmirësojë financat publike, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve që do të përcaktojnë pasuesin e presidentit Emmanuel Macron, ndërsa e djathta ekstreme kryeson sondazhet.

Në Paris mbi 80 mijë persona protestuan në rrugët e kryeqytetit, ndërsa Kulla Eiffel u mbyll për vizitorët për shkak të protestave. Greva përfshiu sektorin e arsimit, hekurudhat, spitalet publike dhe shërbimet postare. Ndërkohë, qeveria angazhoi 70 mijë efektivë policie dhe forcash sigurie për të garantuar rendin, pas përplasjeve të mëparshme mes demonstruesve dhe policisë. Ministri i Brendshëm Laurent Nunez paralajmëroi një përgjigje jashtëzakonisht të vendosur ndaj çdo akti dhune apo cenimi të rendit publik.

Valë protestash pati edhe në Greqi, ku rreth 4 mijë nxënës dhe studentë u mblodhën në Athinë dhe Selanik, duke kërkuar më shumë financime për arsimin publik, modernizimin e infrastrukturës shkollore dhe mbështetje ekonomike për studentët. Protestuesit kritikuan gjithashtu rritjen e shpenzimeve ushtarake në një kohë kur arsimi përballet me mungesë fondesh.

Sipas Eurostat-it, Greqia shpenzoi në vitin 2023 vetëm 3,3 për qind të prodhimit të saj kombëtar për arsimin, kundrejt mesatares evropiane prej 4,7 për qind. Ndërkohë, Athina ka premtuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, në kuadër të angazhimeve të saj ndaj NATO-s.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme